2017-04-06 10:48:00

Papa Françesku e kremtimet liturgjike të Javës së Shenjtë të Pashkëve


 Papa Françesku do t’i kryesojë, në Vatikan e Romë, të gjitha ritet liturgjike të Javës së Madhe e të Shenjtë të mundimeve, vdekjes mbi kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit. Kemi përfunduar kohën e fortë liturgjike të Krezhmëve, që paraprinë e përgatit festën e Pashkëve, domethënë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krisht. E krahas përgatitjes shpirtërore, vijon edhe përgatitja e programimi i kremtimit të riteve të shenjta liturgjike të Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve.

Kështu, në Vatikan, prej 9 prillit, e Diela e Larit, deri më 16 prill, e Diela e Pashkëve, Papa Françesku  kryeson, në Vatikan e Romë, të gjitha ritet liturgjike të Javës së Madhe e të Shenjtë të mundimeve, vdekjes mbi kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Të dielën më 9 prill 2017, bie e Diela e quajtur e larit a e palmeve, në të cilën përkujtohet hyrja e Jezusit në Jerusalem, i brohoritur nga turma që valëvite degët e ullinjve e të palmave. Papa Françesku, në ora 10.00 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan,  kremtoi Meshën me procesionin që përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe rrëfimin e mundimeve të Tij.

Po në këtë të diele, Kisha kremtoi edhe Ditën e Rinisë, në të gjitha dioqezat e botës (Dita botërore e rinisë, në praninë e Papës, kremtohet çdo dy a tre vjet, dita e ardhshme botërore e rinisë do të jetë në Panama më 2019).

Të Enjten e Pashkëve, më 13 prill, fillon i ashtuquajturi treditëshi i Pashkëve. Ky treditësh i Mundimeve e Ngjalljes së  Jezu Krishtit, “kulm i tërë vitit liturgjik”, gjen thelbin e vet në Natën e Shenjtë të pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjen e mbrëmësores të së Dielës së Ngjalljes.

Të Enjten e Madhe të Pashkëve, më 13 prill, Papa Françesku kremton në ora 9.30 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan Meshën e Bagmit, gjatë së cilës bekohen vajrat e shenjta që do të përdorën pastaj për ritet sakramentale gjatë tërë vitit liturgjik.

Pasditen e së Enjtes së Pashkëve, Papa Françesku kremton Meshën e “Darkës së Mbrame” të Jezusit me apostujt - “Messa in Cena Domini”, në Burgun e Paliano-s (në provincën e Frosinone-s e të dioqezës së Palestrinës), me ritin e larjes së këmbëve të disa prej të burgosurve. Vizita e Papës është private.

Të Enjten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha kujton Darkën e Mbrame, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit-Atë Korpin e Gjakun e vet nën trajtën e bukës e të verës, ua dha apostujve si ushqim shpirtëror dhe i urdhëroi që ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej për shëlbimin e njerëzimit mbarë.

Të Premten e Madhe të Pashkëve më 14 prill, Papa do të marrë pjesë në ora 17.00 në kremtimin e Liturgjisë së Fjalës, në përkujtimin e Mundimeve të Jezu Krishtit, në Bazilikën e shën Pjetrit, në Vatikan. Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua për shëlbimin e mbarë njerëzimit, Kisha, me meditimin e mundimeve të Zotit Jezus e Dhëndrit të vet dhe me adhurimin e Kryqit – përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit mbi Kryq dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës.

Po të Premten e Madhe, në ora 21.15 pranë amfiteatrit romak Colloseum, Papa kryeson udhën e Kryqit, në përfundim të së cilës, do t’u drejtojë fjalën të pranishmëve dhe do të japë Bekimin e tij Apostolik.

Të Shtunën e Pashkëve më 15 prill, në ora 20.30, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa kremton liturgjinë e Natës së Shenjtë të Pashkëve, dmth të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Nata e Pashkëve në nderim të Zotit, e cila, sipas një tradite shumë të lashtë, kremtohet me lutje, që na kujtojnë natën në të cilën Krishti u Ngjall. Kjo natë konsiderohet “nënë e të gjitha netëve të lutjes”. Këtë natë Kisha rri zgjuar, në pritje të Ngjalljes së Zotit Jezu Krishtit dhe e kremton me sakramentet e zanafillës së krishterimit.

Ritet e Natës së Pashkëve fillojnë me bekimin zjarrit të ri në hyrje të bazilikës së Shën Pjetrit.  Më pas procesioni do të hyjë në bazilikë me Qiriun e Pashkëve dhe me këngën “Exultet”, duke përshkuar në mënyrë procesionale bazilikën me kardinaj, ipeshkvij e meshtarë, e duke sjell Kumtin e Ngjalljes së Jez Krishtit.

Pranë altarit qendror të Bazilikës vijon pastaj kremtimi i Liturgjisë së Fjalës,  Liturgjisë së Pagëzimit dhe Liturgjisë Eukaristike. Papa do të bashkëkremtojë ritet liturgjike me kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët.

Të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit, më 16 prill, në ora 10.00 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku kremton Meshën solemne të Pashkëve, sipas traditës, në mbarim të kremtimit, nga lozha a ballkoni i bekimeve të Bazilikës, do të jap bekimin apostolik “Urbi et Orbi” (Romës e botës).








All the contents on this site are copyrighted ©.