2017-04-06 12:27:00

Kardinali Zenari: fëmijë e civilë, viktima të pafajshme të luftës në Siri


Të tmerrshme pamjet, që vijnë nga Khan Sheikhun, zona e Sirisë e goditur nga sulmi kimik, për të cilin foli edhe Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme të djeshme. Fëmijë e të rritur shtrirë në tokë, krejtësisht të pafuqishëm për të marrë frymë. I thirrur me urgjencë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së u përpoq të miratojë projektrezolutën e paraqitur nga SHBA-të, Franca dhe Britania e Madhe, të cilën Moska e quajti “të papranueshme”.

Presidenti amerikan Trump deklaroi se “kjo masakër e ka kapërcyer jashtëzakonisht kufirin: ka shkuar shumë përtej vijës së kuqe”.  SHBA-të, theksoi Trump, do të reagojnë, edhe nëse mbeten vetëm. Turqia dhe Izraeli nuk kanë dyshime: sulmi kimik është bërë me urdhër të presidentit sirian Bashar Al Assad. Sot, ai vetë deklaron se opcioni i vetëm, që i mbetet Damaskut, është fitorja, përndryshe Siria do të zhduket nga harta e botës.

Bilanci i viktimave: 86 të vdekur, ndër të cilët 30 fëmijë

Ndërkaq, në terren, bilanci i viktimave rritet: 86 të vdekur, ndër të cilët 30 fëmijë. Të shumtë janë ata, që kërkojnë hapjen e hetimeve të pavarura për t’u siguruar mbi përgjegjësitë, ndërsa nga konferenca e donatorëve në Bruksel arrijnë premtime për 6 miliard dollarë ndihma për Sirinë, gjatë këtij viti. Të dëgjojmë komentin e nuncit apostolik të Damaskut, kardinalit Mario Zenari, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Do të jetë detyrë edhe e bashkësisë ndërkombëtare të shohë qartë e saktë se si janë zhvilluar ngjarjet dhe kush e ka përgjegjësinë për ç’ndodhi. Sigurisht, janë civilët e shkretë e, ndërmjet tyre, edhe një numër i madh fëmijësh, që paguajnë pasojat e kësaj lufte të tmerrshme e të sulmit kimik, të këtyre gazeve toksikë, që goditën popullsinë e atij fshati.

Kur sheh pamje fëmijësh e të rriturish me sy të zgurdulluar, që përpiqen me të gjitha forcat të marrin frymë, ç’përshtypje i bën një njeriu si ju, që e përjeton luftën prej 6 vjetësh, tashmë?

Jemi pranë Pashkëve, në prag të Javës së Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krishtit. Menjëherë më vjen ndërmend fryma e fundit e Krishtit në Kryq. Në atë frymë të fundit, shoh edhe frymëmarrjen e mundimshme të njerëzve të helmuar nga gazi kimik. Këta fëmijë të pafajshëm po përjetojnë diçka afër Mundimeve të Krishtit, edhe Ai i pafajshëm. Janë vuajtje, të cilat vijojnë që prej 6 vjetësh. Për 6 vjet me radhë, këta njerëz, sidomos civilët, po përjetojnë Javën e Mundimeve, të Premten e Madhe. Pa fund janë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, të Papës Françesku, që t’i kursehen pasojat e tmerrshme të konfliktit, së pari, popullsisë civile. Kemi parë kaq shumë viktima! Një nga parimet themelore të së drejtës humanitare ndërkombëtare, në raste lufte, është mbrojtja e civilëve: këtu shihet se për këtë mbrojtje nuk pyet njeri.








All the contents on this site are copyrighted ©.