2017-04-05 12:37:00

Papa, delegacionit mysliman: e rëndësishme, ta dëgjojmë njëri-tjetrin


Para audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku priti në një sallë pranë asaj të Palit VI, delegacionin e krerëve myslimanë të Britanisë së Madhe, shoqëruar nga kryeipeshkvi i Uestminsterit, kardinali Vincent Nichols dhe nga kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran. Delegacioni ndodhet në Romë për një takim, ku diskutohet mbi tri sfida të marrëdhënieve ndërmjet feve: integrimi, edukimi, dhuna. Ja fjalët e Papës:

“Me gëzim ju uroj mirëseardhjen. Më pëlqen të mendoj se puna më e rëndësishme, që duhet të bëjmë sot mes nesh, me humanitet, është punë “veshi”: të dëgjojmë. Ta dëgjojmë njëri-tjetrin, pa u nxituar për të dhënë përgjigje. T’i pranojmë fjalët e vëllaut e të motrës e pastaj, të mendohemi për të thënë tonën. Por aftësia për të dëgjuar…kjo është shumë e rëndësishme. Është interesant: kur njerëzit e kanë këtë aftësi, flasin me ton të ulët, të qetë… Ndërsa, kur nuk e kanë, flasin me zë të lartë e madje, bërtasin. Si vëllezër, të gjithë ne duhet të flasim, të dëgjojmë e të flasim ngadalë, të qetë, ta kërkojmë së bashku rrugën. E kur dëgjojmë e flasim me njëri-tjetrin, jemi në rrugë të drejtë. Ju falenderoj për këtë udhë, që po bëni, dhe i lutem Zotit të gjithpushtetshëm e të mëshirshëm t’ju bekojë. E, edhe ju, lutuni për mua. Ju faleminderit shumë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.