2017-04-05 18:31:00

Nis shtegtimi i Kryqit të Ditën Botërore të Rinisë drejt Panamasë


Dyqind të rinj, nga dioqezat e ndryshme të Panamasë, të të gjitha viseve të Amerikës Qendrore dhe të Meksikës, do të jenë të pranishëm në Romë, më 9 prill, në Ditën XXXII Botërore të Rinisë, për të marrë kryqin shtegtar dhe ikonën e Zojës “Shpëtimi i Popujve Romakë”, nga të rinjtë polakë. Si zakonisht, dorëzimi do të bëhet gjatë Meshës Shenjte të së Dielës së Larit, kryesuar nga Papa Franòesku, në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Delegacioni panamez do të kryesohet nga kryeipeshkvi i Panamasë, imzot Josè Domingo Ulloa Mendieta, nga ipeshkvi i David, kardinali Josè Luis Lacunza, nga ipeshkvi i Chitré, imzot Rafael Valdivieso dhe ipeshkvi ndihmës i Panamasë, imzot Uriah Ashley.

Nga Krakovi - në Panama, nën shenjën e Sinodit

Prelud i takimit të të rinjve latinoamerikanë dhe atyre polakë, do të jetë kuvëndimi ndërkombëtar, organizuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, me temë: “Nga Krakovi - në Panama. Sinodi, për udhë me të rinjtë”. Nga 5 deri më 9 prill, mblidhen delegatët e baritorisë rinore të konferencave katolike ipeshkvnore të mbarë botës, së bashku me Komitetin organizues të DBR-së të Panamasë 2019, për t'i analizuar rezultatet e DBR-së së Krakovit dhe për të reflektuar për ardhmërinë e të rinjve katolikë në shoqëritë e sotme bashkëkohore.

Reflektime, thirrje, muzikë

Takimi ka dy sesione pune, më 6 e 7 prill, kushtuar Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në tetor 2018, me temë “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes shenjte”. Në këto rrethana, së bashku me kardinalin Kevin Ferrer, prefekt i dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën  janë të pranishëm edhe kardinali Lorenzo Baldisseri, Sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve dhe imzot Fabio Fabene, zëvendës-sekretar i Sinodit. Në vijim, të rinjtë jetojnë edhe një çast festiv në Sallën Sinopoli të Auditoriumit, në Parkun e Muzikës të Romës, ku mund të ndjekin koncertin muzikor të grupeve të muzikës katolike Gen Rosso dhe Gen Verde.

Paraqitja e DBR-së së Panamasë

Të shtunën, më 8 prill, do të organizohet takimi i delegacioneve të baritorisë për të rinjtë në botë, ku mund të njihen paraparakisht  përgatitjet e DBR-së të Panamasë. Kryeipeshkvi Ulloa do të paraqesë, në seancën e paradites, karakteristikat kryesore të ngjarjes, aspektet baritore dhe organizative si dhe anëtarët e Komitetit organizator, emëruar nga Konferenca Ipeshkvnore. Paraqitja do të bëhet në Kolegjin Ndërkombëtar “Maria, Nëna e Kishës” e do të përfundojë në mesditë, me kremtimin e Meshës Shenjte, kryesuar nga vetë kryeipeshkvi. Së fundi, në orën 17.00, pjesëmarrësit në kuvëndim do të kremtojnë Natën Mariane, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

Vigjilja e dorëzimit, në natën panameze

Në Panama, të rinjtë do të mblidhen natën ndërmjet 8 e 9 prillit, për të kremtuar së bashku me shokët e tyre, të pranishëm në Romë, Natën e dorëzimit të kryqit dhe të ikonës mariane të DBR-së. Nga ora 20.00 e së shtunës, do të ketë një mori veprimtarish muzikore, koreografike, kinematografike etj. etj., pasuar nga dëshmitë, Rruzarja shenjte dhe kremtimi eukaristik. E kështu, deri në orën 3 të së dielës, 9 prill kur, në lidhje me Romën, pjesëmarrësit do të mund ta shikojnë drejtpërdrejt dorëzimin e simboleve të DBR-së, që do të merren nga 25 të rinj panamezë, nga një për çdo vend qendrolatinoamerikan dhe një nga Meksika.








All the contents on this site are copyrighted ©.