2017-04-05 13:38:00

I Lumi atë Karl Serreqi, ofm, në përvjetorin e vdekjes.


Kujtojmë sot përvjetorin e vdekjes të të Lumit Atë Karl Serreqi, martir i rrëfimit shenjt, një nga martirët e rënët për çështjen e Krishtit e Ungjillit nën tehun e shpatës së diktaturës komuniste ateiste të Shqipërisë.
 
I Lumi Atë Karl Serreqi lindi në Shkodër, më 2 Shkurt 1911. Shkollën e mesme e kreu tek françeskanët në Shkodër, kurse teologjinë në Bresha (Itali). U shugurua meshtar dhe Meshën e Parë e kremtoi më 29 qershor 1936. U arrestua më 9 tetor 1946, sepse organet e sigurimit të regjimit komunist donin të dinin se çfarë i kishte thënë në Sakramentin e rrëfimit një person politik. Ai, besnik ndaj fshehtësisë së Sakramentit të Shenjtë të Rrëfimit, nuk tha asgjë gjatë torturave. “Rrëfimi ashtë nji Sakrament qi bahet në fshehtësi: a parë vdes, sesa e nxjerr atë”, pohoi i Lumi shqiptar atë Karl Serreqi. Prandaj U dënua me vdekje më 18 janar 1947. Vdiq në burgun e Burrelit më 5 prill 1954. Është martir i Lum i fshehtësisë së rrëfimit.

Frat minor dhe meshtar, i Lumi Atë Karl Serreqi kishte një karakter të jashtëzakonshëm: spikaste për gëzimin, ëmbëlsinë dhe butësinë e tij. Fytyra ishte pasqyra e shpirtit të tij. Ishte një meshtar françeskan i bindur, guximtar, i vendosur, i dashur nga njerëzit. Ishte shumë i rregullt. Më shumë se i përgatitur ishte i mençur, i ekuilibruar, i mbledhur, fjalëpakë, kishte besim të madh dhe kultivonte me shumë zell shpirtin e devotshmërisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.