Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Françesku: shpresa e krishterë nuk është koncept, as ndjenjë

Papa në audiencën e përgjithshme - AP

05/04/2017 13:51

Shpresa e krishterë nuk është ide, është Krishti i ngjallur. Merr formë në ëmbëlsinë dhe dashamirësinë e njeriut, që arrin të falë: këtë theksoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e  Shën Pjetrit.

Në qendër të katekizmit të Papës ishte Letra I e Shën Pjetrit, në të cilën Apostulli na fton të jemi të gatshëm për t’i dhënë gjithsecilit përgjigje për arsyen e shpresës sonë. Shpresë, që nuk të zhgënjen, sepse bazohet mbi Ngjalljen e Krishtit:

“Shpresa jonë nuk është koncept, nuk është ndjenjë, nuk është telefonin, nuk është pirg pasurish. Shpresa jonë është një Vetje, është Zoti Jezus, i gjallë e i pranishëm në ne e në vëllezërit tanë, sepse Krishti u ngjall! Popujt sllavë, kur përshëndeten në ditët e Pashkëve, në vend që të thonë ‘mirëmëngjes’ a ‘mirëmbrëma’, shkëmbejnë shprehjen “Krishti u ngjall”; ‘Christos voskrese!’. Këtë shprehje shkëmbejnë njëri me tjetrin. E janë të lumtur, kur e thonë!”.

Kjo shpresë - shpjegoi Papa - nuk kërkon shumë shpjegime teorike, nuk ka nevojë për shumë fjalë. Mbi të gjitha, kërkon ta dëshmosh me jetë, e këtë  dëshmi ta japësh si në gjirin e bashkësisë krishterë, ashtu edhe jashtë saj:

“Nëse Krishti është i gjallë e banon në ne, në zemrën tonë, atëherë duhet ta bëjmë të dukshëm, të mos e fshehim, por ta lëmë të veprojë në ne. E kjo do të thotë se Zoti Jezus duhet të bëhet gjithnjë më shumë modeli ynë: model  jete. E ne duhet të mësohemi të sillemi, si u soll Ai. Të bëjmë atë, që bëri Jezusi”.

Shpresa - saktësoi Papa Françesku - merr formën e këndshme e të patjetërsueshme të ëmbëlsisë, të respektit, të dashamirësisë për të afërmin, duke arritur deri atje, sa ta falësh edhe atë, që të bën keq, me vetëdijen se mbi të keqen nuk fitohet me të keq, por me përvujtëri, me mëshirë, me butësi. Ndërsa njeriu i pashpresë nuk mund të falë, nuk di ta japë ngushëllimin e faljes e as ta marrë këtë ngushëllim:

“Mafiozët mendojnë se e keqja mundet me të keq, e kështu nxisin hakmarrjen. Dinë të bëjnë gjëra, që i njohim të gjithë, por nuk dinë ç’është përvujtëria, mëshira, butësia. E pse? Sepse mafiozët nuk kanë shpresë. Mendojeni këtë”.

Shën Pjetri pohon se është më mirë të vuash duke bërë mirë, sesa të kënaqesh duke bërë keq”(17): e kjo nuk do të thotë se është punë e bukur të vuash - vërejti Papa - por që, kur vuajmë për të mirën, jemi në bashkim me Zotin, i cili pranoi të vuante e të gozhdohej mbi kryq për shëlbimin tonë:

“Atëhere kur edhe ne, në ngjarje të vogla a të mëdha të jetës sonë, pranojmë të vuajmë për të mirën, është si të hidhnim rreth nesh farët e ringjalljes, farët e jetës e të përhapnim, në mes të errësirës së dendur, Dritën e Pashkëve”.

Kështu bëhemi shenja të ndritshme të shpresës, sa herë mbajmë krahun e të varfërve, të vuajturve, të mjerëve; e edhe sa herë nuk i përgjigjemi së keqes me të keq, por dimë të falim, duke besuar e duke u bërë mirë edhe atyre, që e dimë se nuk na duan, ose që na bëjnë të keqen”.

Gjatë përshëndetjeve, Françesku e kujtoi Shën Gjon Palin II, në përvjetorin e vdekjes, më 2 prillin e kaluar, si “Dëshmitar i madh i Krishtit”, “mbrojtës i trashëgimisë së fesë”, “njeri, që i drejtoi botës dy mesazhet e mëdha: atë të Jezusit të mëshirshëm e atë të Fatimës, mesazh i ngadhënjimit të Zemrës së Papërlyer të Marisë mbi të keqen e mbi vdekjen”.

Së fundi, përshëndeti familjarët e ushtarakëve të rënë në misionet ndërkombëtare të paqes, të pranishëm në Sheshin e  Shën Pjetrit, shoqëruar nga ipeshkvi ushtarak, imzot Santo Marciano. Më pas, ftesa për të marrë pjesë në Udhën e Kryqit për gratë e kryqëzuara, organizuar nga Bashkësia Gjoni XXIII,  që do të kremtohet në Romë, më 7 prill, duke bërë thirrje të vijohet veprimtaria në favor të vajzave të shpëtuara nga prostitucioni.

05/04/2017 13:51