2017-04-04 15:26:00

Kardinali Sandri: Mbledhje ndihmash për Tokën Shenjte, kontribut për paqen


“Të bëj thirrje Ty, në emër të humanizmit të fesë së krishterë, që na bashkon në Krishtin, të jesh vërtet bujar e të japësh ndihmesën tënde për paqen, në vendin ku lindi Jezusi, në Tokën Shenjte, duke u bërë protagonist e ndërtues i kësaj bote”. Kjo, ftesa që kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, u drejton besimtarëve lidhur me mbledhjen e lëmoshëve për Tokën Shenjte, të cilat për traditë, organizohen të Premten e Madhe.

Toka Shenjte e bën besimtarin të ndjehet pranë Krishtit, edhe kur nuk i ka shkelur kurrë këto troje

Në një intervistë të Sir, që doli sot në kanalin e Shërbimit të Informacionit Fetar, kardinali kujton rëndësinë e ruajtjes dhe të mirëmbajtjes së Viseve të Shenjta, parë si hapa të cilët ne, që besojmë, na afrojnë me Krishtin e na bëjnë ta ndjejmë gati fizikisht pranë Shëlbuesin, Birin e Zotit. Përballë ngjarjeve, që ndodhin në këto troje të trazuara të botës, shton Prefekti, rrezikohemi t’i shikojmë banorët e tyre gati-gati si të mos ishin tanët, si të mos kishim kurrfarë përgjegjësie ndaj tyre. Duke marrë pjesë në mbledhjen e  lëmoshëve për Tokën Shenjte, ti kontribuon personalisht për ta shndërruar këtë tokë, ku ka luftë, mjerim, terrorizëm, dhunë, përçarje. E kjo nuk mund të bëhet me mendimin se për këtë do të kontribuojnë të tjerët: Toka e Shenjtë të bën thirrje ty!

Lëmoshë për paqen në Tokën e Krishtit

Prej këndej, thirrja për të kontribuar për paqen në Tokën e Krishtit. Siç dihet, mbledhja e Lëmoshëve për Tokën Shenjte është gjest i përvitshëm, që lindi sipas vullnetit të papëve për ta mbajtur të fortë lidhjen ndërmjet gjithë të krishterëve të botës dhe Viseve të Shenjta. Lëmoshët, që tradicionalisht mblidhen të Premten e Madhe, janë një nga burimet kryesore,  që e mbajnë gjallë jetën rreth Viseve të Shenjta, e edhe mjet, që i krijon Kishës mundësinë të jetë gjithnjë pranë bashkësisë kishtare të Lindjes së Mesme. Jo shumë kohë më parë, Papa Pali VI, përmes Nxitjes Apostolike “Nobis in Animo” (25 mars 1974) i dha një nxitje vendimtare ndihmës në favor të Tokës Shenjte.  








All the contents on this site are copyrighted ©.