2017-04-03 10:42:00

Patriarku i Venedikut: fetë të flasin pak më shumë


“Po presim hetimet, pastaj do të shohim”. Kështu komentoi prokurori i Venedikut, Adelchi D’Ippolito, pas arrestimit të tre kosovarëve, akuzuar për terrorizëm në qytetit bregdetar italian. Sipas të dhënave të para, që dalin nga bisedat e tyre telefonike, ata kishin ndërmend të hidhnin në erë Urën e famshme të Rialtos, por edhe katedralen e Shën Markut, përcaktuar si objektiv ideal nga grupi, së bashku me kisha të tjera. Arjan Babaj e Fisnik Bekaj, të dy 25 vjeç, dhe Dake Haziraj, 26 vjeç, janë rezidentë me dokumenta të rregullta në Itali. Në pritje të rezultatit të hetimeve, pyetëm Patriarkun e Venedikut, imzot Francesco Moraglia, nëse varfëria mund t’i bëjë njerëzit të ndjekin këto lloj ideologjish ekstreme. Ta dëgjojmë:

         Sigurisht, varfëria është supa e prishur, ku lindin mendime, stile, qëndrime e pretendime, që mund të çojnë në veprime si ato, të cilat, fatmirësisht, në Venedik, u ndalën në kohë. T’u japësh të ardhme, të eksportojmë – nëse mund të themi kështu – mirëqënien, së paku për jetën e përditshme, në disa zona të botës, do të thotë të çaktivizojmë bombat, që mund të shpërthjenë atje, ose në anë të tjera, në çdo çast.

         Imzot Moraglia, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me klandestinë. Të arrestuarit jetojnë prej tre vjetësh në Itali, me leje të rregullt qëndrimi e, punojnë si kamarierë…

         Po përmend, së pari, vlerat e Venedikut, por sidomos një mënyrë jetese, që nuk duhet të bjerë në kurthin e dhunës dhe të terrorizmit, madje do të thosha, të ideologjisë së dhunës e të terrorizmit. Ndoshta, këta janë njerëz që i kemi përshëndetur, na kanë përshëndetur, ndërsa kalonim në rrugët pranë restorantit ku punonin. E kjo na bën të reflektojmë, sepse feja, po ta mendojmë ashtu siç është në të vërtetë, pra, si takim me Zotin, takim me njerëzit, i vë fre më mirë se gjithçka tjetër botëkuptimit idologjik e kulturor, që justifikohet me fenë, por e shtrembëron kuptimin e saj. U bëj thirrje bashkësive fetare të qytetit tonë dhe bashkësisë civile të kuptojnë se qyteti përbëhet nga bashkimi i komuniteteve të ndryshme, që në disa çaste historike, i gjejnë me vështirësi arsyet për të qëndruar së bashku, duke respektuar ndryshimet, duke e parë tjetrin si bartës vlerash e traditash të ndryshme. E megjithatë, është themelore që fetë të çlirohen nga çdo formë ideologjie, që mund të jetë vërtetë eksplozive në këtë periudhë historike.

Cili është mesazhi juaj për Venedikun?

         Qyteti duhet të niset nga këto fakte - që mund të jenë shkatërrimtare, nëse çohen deri në fund – për të kuptuar se fetë, religjionet, duhet të flasin më shumë ndërmjet tyre. Sipas meje, prej këndej mund të arsyetojmë për një laicitet të vërtetë. Edhe shteti duhet ta njohë vlerën e feve, sepse kur i njeh, i përgjegjëson, nuk i detyron të mbyllen në vetvete, sepse nga vetëdija e mbylljes mund të rrjedhë krimi, si në rastet për të cilat po flasim. Të mos harrojmë se i katërti i grupit është minoren.








All the contents on this site are copyrighted ©.