2017-04-03 09:51:00

Papa në Mirandola: mbeten shenjat e plagëve, por edhe guximi e shpresa


Keni dhënë një “shembull guximi për gjithë njerëzimin”. Papa e përfundoi udhëtimin e djeshëm në dioqezën e Carpit, në Emilia të Italisë, duke vendosur një kurorë me lule në monumentin, që kujton viktimat e tërmetit në Mirandola. Ndërsa i fliste popullsisë, pas tij, dukej qartë katedralja, ku akoma nuk mund të hyhet, sepse e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2012. Ati i Shenjtë përmendi vizitën e Benediktit XVI, vetëm pak javë pas tërmetit, shenjë e afërsisë së Kishës me ata, që humbën gjithçka, të dashurit dhe gjithë ç’kishin ndërtuar me sakrifica gjatë jetës. Tashmë, zona ka rilindur, por mbeten shenjat e plagëve të shpirtit, nënvizoi Papa Françesku:

         “E do të mbeten gjithë jetën ato shenja e, duke i parë ju duhet të keni guximin për t’u zhvilluar e për të rritur fëmijët me atë dinjitet, me atë qëndresë, me atë frymë shprese, me atë guxim, që patët në çastin e hapjes së këtyre plagëve”.

         Ati i Shenjtë uroi që popullsia të jetë gjithnjë gati për të shpërvjelur mëngët, duke mos u shkurajuar para vështirësive:

         “Shumë është bërë me veprat e rindërtimit, por ka rëndësi më shumë se kurrë një impenjim i vendosur për të rregulluar edhe qendrat historike: ato janë vende të kujtesës historike dhe hapësira të domosdoshme për jetën shoqërore dhe kishtare. Jam i sigurtë se nuk do të mungojë vullneti i mirë nga ana e të gjithë protagonistëve, që të sigurohet realizimi i shpejtë i këtyre punimeve, për të mirën e përbashkët”.

Vizita në Duomo

         Para se t’i fliste popullsisë, së mbledhur rreth monumentit, Ati i Shenjtë hyri në Duomon e ngërthyer në një rrjet me skela, duke lënë në elter një buqetë me lule bardh e verdh, si ngjyrat e Vatikanit. I mallëngjyer, iu drejtua të pranishmëve:

         “Ju falenderoj, ju falenderoj për shembullin, që i dhatë njerëzimit: shembull guximi, dëshire për të ecur përpara, shembull dinjiteti”.

         Pikërisht këtyre ditëve, dioqeza mori autorizimet e shumëpritura, që brenda periudhës së verës, do të bëjnë të mundur fillimin e restaurimit të Duomos së Zojës së Madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.