2017-04-03 16:21:00

Papa: mjaft me trafikun e njerëzve, shkandull i kohës sonë


Është koha t’i japim fund trafikut të njerëzve, “formë e rëndë skllavërimi” modern dhe “plagë e turpshme” e njerëzimit. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Konferencën e 17-të kundër trafikut të njerëzve, e cila mbahet në Vjenë, e organizohet nga OSBE-ja. Mesazhi u lexua nga zv.sekretari i Seksionit të Emigrantëve dhe Refugjatëve në dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor.

Trafiku i njerëzve, formë shkandulluese e skllavërive moderne

         Duhet të jemi të vendosur, shkruan Papa Françesku, në çrrënjosjen e trafikut të njerëzve, i cili përfaqëson një nga fenomenet më të turpshme, që e shpërfytyron njerëzimin. Të trondit rëndë fakti se trafik njerëzish ka në çdo vend, shkruan Papa në mesazh, ku vihet në dukje se ky është një nga bizneset më të frytshme të planetit. Është fjala për “një formë skllavërie, për krim kundër njerëzimit, për dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, për një plagë të tmerrshme, që duhet dënuar edhe me më tepër forcë, kur prek fëmijët”.

Të impenjohemi me çdo mënyrë kundër trafikut të fëmijëve

         Duke iu drejtuar përfaqësuesve të kombeve, që marrin pjesë në konferencën me temë “Trafiku i fëmijëve dhe interesi suprem i fëmijërisë”, Ati i Shenjtë i nxit të bëjnë ç’është e mundur për ta ndërgjegjësuar botën e për të koordinuar përpjekjet ligjore e shoqërore në ndihmë të miliona fëmijëve dhe të rriturve. Edhe më shumë, lexohet në mesazh, duhet të impenjohemi për të parandaluar trafikun e njerëzve dhe skllavërimin e tyre. Papa Françesku uron së fundi, suksesin e konferencës, duke kërkuar t’i jepet fund “krimit të tmerrshëm” të trafikut të njerëzve në vendet e OSBE-së.








All the contents on this site are copyrighted ©.