Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Papa Shën Gjon Pali II e shqiptarët

Papa Gjon Pali II ne Shqiperi, 25 prill 1993 - RV

02/04/2017 00:00

Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Papës Shën Gjon Palit II për mbështetjen e tij dashurinë e ndihmën e tij të pakursyer

Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Papës Shën Gjon Pali II për dashurinë e ndihmën e tij të pakursyer. Me rastin e 12-vjetorit të vdekjes së Papës Wojtila, duam të kujtojmë me nderim të veçantë disa nga fjalët më domethënëse të Papës Shën Gjon Pali II në ndihmë të Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Karol Wojtila pat thënë në shumë raste e rrethana.

Së pari nga Otranto kur më 5 tetor 1980 Papa Shën Gjon Pali II dënoi persekutimin e besimtarëve dhe të qytetarëve të pafajshëm në Shqipërinë komuniste.  Duke kujtuar persekutimin e egër që pësonte popullsisë shqiptare nga komunizmi në Shqipëri, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste.

Në homelinë e Meshës Shenjte të atij 5 tetori 1980, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Shën Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”. “Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”.

Pastaj gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri 25 prillit 1993. Me atë rast në Sheshin Skënderbe të Tiranës, Shën Gjon Pali II iu drejtuar me këto fjalë shqiptarëve që lanë pas diktaturën komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!

Gjithnjë gjatë vizitës së tij të 25 prill 1993, në Shkodër, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkëvisë së Shkodrës i drejtoi një përshëndetje të Lumes Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë Wojtilla ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, të së Lumes Nënë Terezë. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut t uaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!

Në Tiranë, në përfundim të vizitës së tij të 25 prillit 1993, Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen mbarë kombit shqiptar “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”!

Shenjtëria e Tij Gjon Palit II e pat për zemrën edhe fatin e kosovarëve. Më 7 qershor 1998 Papa Wojtilla i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vinin lajme që tregonin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. Ja edhe fjalët e Papës Wojtila për paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Ishte koha kur në trojet kosovare zhvillohej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve. “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzihen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet të ikë larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje urgjente Autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”. RV.

02/04/2017 00:00