2017-04-01 19:02:00

Mëshirë që merret e që dhurohet


Sot, 2 prill, në të gjitha bashkësitë famullitare të Romës, filloi java e bamirësisë, takim tradicional, në përfundim të Kreshmëve. Posaçërisht lëmoshët e mbledhura gjatë ditës, do të përdoren nga Karitasi dioqezan për të mbështetur veprimtaritë e 49 qendrave të dëgjimit e të strehimit që, gjatë vitit 2016, u kanë shërbyer 48.000 familjeve, duke ofruar 350.000 dreka e darka, duke siguruar vende strehimi për 200 vetë  e duke u krijuar mundësinë për vizita mjekësore në shtëpi, më se 10.000 vetëve.

Të enjten, më 6 prill, në orën 19.30, do të mbahet, pastaj, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, një mbrëmësore lutjeje, kryesuar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Vallini, me dorëzimin e mandatit baritor animatorëve të bamirësisë. “Mëshirë që merret e mëshirë që dhurohet”, tema e lutjes,  që do të gjallërohet nga  eprori i bashkësisë së Tezesë, vëllai Alois:

“Mbledhja e lëmoshëve dhe mbrëmësoret e lutjes janë përvojë për të formuar zemrat për takimin me Zotin, përmes dashurisë ndaj të afërmit e me angazhimin konkret  në dashurinë e krishterë” - tha imzot Enrico Feroci, drejtor i Karitasit dioqezan, duke paraqitur nismat.

Siç thamë, ndihmat që do të mblidhen të diel, do të kontribuojnë për të mbështetur veprimtaritë e 49 qendrave dioqezane (strehë, bashkësi, shtëpi familje e mensa shoqërore), që ndihmojnë bashkësitë famullitare, duke u koordinuar  me qendrat e dëgjimit. Një shërbim në të cilin, vetëm gjatë vitit 2016, u angazhuan më se 6 mijë vullnetarë. Bujaria e tyre krijoi mundësitë për t’u siguruar ushqimin më se dhjetë mijë vetëve, për të strehuar 2400 të pastrehë, për të mjekuar 5 mijë të sëmurë, për të takuar e për të ndihmuar po aq të burgosur.

Gjatë javës së bamirësisë, do të theksohet në mënyrë të veçantë 50-vjetori i Enciklikës së Palit VI “Populorum progressio”, një profeci e vërtetë për gjerësinë e fushës së vizionit, lartësinë e perspektivës, aftësinë e leximit në thellësi - pohoi imzot Feroci.








All the contents on this site are copyrighted ©.