2017-04-01 09:00:00

Benedikti XVI, treguar nga gazetari italian Brunori


Benedikti XVI, papë i mendimit më shumë se i gjesteve. Në prag të 90-vjetorit të Papës së nderit, më 16 prill, zv.kryeredaktori dhe vatikanisti i Tg2 të RAI-t, Giovan Battista Brunori, publikon një libër me titull “Benedikti XVI, fe e profeci në Papën e parë të nderit në histori”, botuar nga Paolinet. Libri do të paraqitet më 13 prill në Romë.

Objektivi i biografisë 450 faqëshe është t’i përgjigjet pyetjes: “Kush është vërtet ky njeri, nganjëherë i pakuptuar e i kundërshtuar, të cilit ia kishin frikën dhe e quanin Panzerkardinal (kardinali me korracë), pavarësisht nga finesa e tij intelektuale?” Lexuesi shoqërohet në rrugën për të njohur përvojën njerëzore e shpirtërore të një “enfant prodige” të teologjisë, që nga formimi i tij në Bavierë e deri në tërheqjen në kuvendin “Mater Ecclesiae”. Duke iu referuar kujtimeve të vetë Papës Ratzinger dhe të vëllait, Georg, dokumenteve zyrtare dhe intervistave të shumta me dëshmitarë të ndryshëm publikë, Brunori nxjerr në pah se Benedikti XVI “ka qenë më shumë një papë i mendimit se i gjestit, papë teolog dhe profesor, më tepër se papë që qeveris”. Por ka dhënë një kontribut të shquar në jetën e Kishës universale, siç nënvizon ish-zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në hyrjen e vëllimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.