2017-03-31 14:25:00

Motër Majlinda Topalli për lutjen: Ati Qiellor na jep çdo gjë që e kërkojmë në emër të Krishtit


Gjatë këtyre Kreshmëve, për çdo të premte, motër Majlinda Topalli, rregulltare e Kongregatës së Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, propozon për dëgjuesit një reflektim mbi lutjen e krishterë. Është edhe kjo një mënyrë përgatitjeje për Pashkët.

 Sot, ajo përqendrohet në një pjesë, marrë nga Ungjilli sipas Gjonit, ku thuhet: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim, do t’jua japë” (Gjn 16,23). Nganjëherë nuk dimë si t’i lutemi Atit Qiellor, nënvizon murgesha shqiptare. E pra, kemi nevojë për shumë gjëra e, nëse ia kërkojmë Zotit në emër të Birit të vet, lutja jonë bashkohet me atë të Jezusit, që ndërmjetëson për ne. Por cili është qëndrimi, që duhet të mbajmë gjatë lutjes? Të dëgjojmë më tej, motër Majlinda Topallin…

Çdo gjë që të kërkoni në Emër tim do ta bëj

Të lutesh është edhe t'i kërkosh Zotit atë çfarë kemi nevojë, por duhet t’ja kërkojmë në emër të Jezusit, sepse kështu lutja jonë bashkohet me atë të Jezusit, që është “ në të djathtën e Atit dhe  gjithmonë ndërmjetëson për ne” ( Rom 8,34) por mbi të gjitha lutja jonë e bashkuar me atë të Jezusit na ndihmon të kemi në ne të njëjtat “ ndjenja që ishin në Krishtin Jezus” ( Fil 2,5). Në fakt qëllimi i lutjes është që të arrijmë të bëjmë vullnetin e Zotit mbi ne, jo që të presim që Ai të bëj vullnetin tonë: lutjet tona nuk e  shndërrojnë planin e dashurisë së Zotit mbi ne , por janë dhuratat që Zoti na jep përmes lutjes që të na shndërrojë dhe të na sintonizojë me vullnetin e tij! Ja pra nëse lutemi në emrin e Tij , lutja jonë është e dëgjuar, sepse ashtu si na thotë në Ungjillin e Gjonit: “Ati do t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim” ( Gjn 15,16) ose “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim, do t’jua japë” ( Gjn 16,23-24) . Në këtë rrugëtim  nuk jemi të vetëm: Shpirti i  Shenjtë, dhurata e parë dhënë besimtarëve , na shoqëron në këtë rritje të brendshme që i çon apostujt dhe ne të zbulojmë se kush është  Jezusi  dhe kush jemi  ne në të vërtetë. Sigurisht: për ne është e vështirë  të kuptojmë  se çfare dhe  si  mund ti kerkojme ate qe kemi  nevoje … dhe ketu  Jezusi na jep një sugjerim: kërkoni Ati çdo gje dhe Ai do t’jua japë  por te dish te kërkosh gjëra  të dobishme që të jetoni në gëzim dhe në plotësi, duhet t'i kërkojme me  fe, “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe!”  ( Mk 5 ,34) sepse  “ kjo është siguria që kemi te Ai: nëse kërkojmë gjë sipas vullnetit të tij, Ai na e plotëson lutjen.  Duke e ditur se na e plotëson lutjen për gjithçka kërkojmë, atëherë e dimë se i kemi ato që i kërkuam prej tij, tamam sikur t’i kishim në dorë” ( 1Gjn 5,14-15)

Gjithmonë lutjen dhe kërkesën tonë duhet ta shoqërojë përvujtëria ( Lk 18,9-14) sepse krenaria, përbuzja e të tjerëve janë si ai muri që vendoset mes nesh dhe Hyjit, dhe zëri ynë nuk arrin të depërtojë këtë mur deri sa të prekë  zemrën e Zotit, por në çfarëdo situate të jemi, të arrijmë të themi nga thellësia e zemres  “O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!” ( Lk 18,13). Eshtë fjala e parë që duhet t’ja drejtojmë Atit në fillim të çdo lutjeje. Asnjë vetë-lartësim nuk vlen para Hyjit tre herë i shenjtë, por vetem vetëdija e të qënurit të vegjël dhe shpesh të pafuqishem përpara tij.

Raporti mes Zotit dhe njeriut në lutje duhet të jetë një raport i çiltër, i përvuajtur, sepse pëndryshe rrezikojmë të lusim vetveten dhe jo të jemi “lypës” të mëshirës së Hyjit, sepse lutja është të braktisesh në duart e Zotit, me besim në mëshirën e tij, sepse është Zoti që shpëton dhe e plotëson jetën tonë. Është gjithmonë Shpirti i Zotit që na merr për dore dhe na ndihmon të bëjmë këtë përvojë paqe. Sepse lutja e përvuajtur arrin dhe depërton në zemrën e Zotit, përpara një lutjeje të tillë Zoti e hap krejtësisht zemrën e tij.

Zot Jezus, Ti që je përkulur nga qielli drejt tokës dhe je bërë kështu mik i të gjithëve, je përulur deri në nivelin njerëzor, ke vendosur në ne ndjenja mirësie dhe dashurie dhe na ke ftuar të mësojmë nga shkolla e Zemrës sate ku çdo njeri është vëllau im, jo një armik për t'u luftuar dhe një rival për t'u fituar. Në shkollën tënde ku zemrat tona bëhen më njerëzore, të ndjeshme ndaj nevojave të të tjerëve. Aty ku mësohet dhe kultivohet miqësia e sinqertë sepse ti je burimi i dashurisë së vërtetë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.