2017-03-31 12:58:00

Konferencë ndërkombëtare, 50-vjet pas enciklikës “Populorum progressio”


Me rastin e 50-vjetorit të enciklikës “Populorum progressio”, më 3 e 4 prill, në Vatikan, pranë Sallës së Re të Sinodit, do të mbahet kongresi ndërkombëtar, titulluar: “Perspektiva në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor: 50-vjet pas ‘Populorum progressio’”.

Konferenca, organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, synon të thellojë perspektivat teologjike, antropologjike dhe baritore të enciklikës, posaçërisht në lidhje me punën e atyre, që veprojnë në favor të promovimit të njeriut, si dhe të  formulojë orientime për veprimtarinë e Dikasterit të ri.

Në takim do të marrin pjesë, posaçërisht, anëtarët e Këshillave Papnore, që u shkrinë në këtë dikaster (Drejtësi e Paqe, Cor Unum, Emigrantët dhe Endackët, Punonjësit e Shëndetësisë), përfaqësues të Konferencave ipeshkvnore dhe të Komisioneve të tyre shoqërore, përfaqësues të organizmave katolike bamirëse, Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë e specialistë të ndryshëm.

Kongresi do të hapet të hënën, më 3 prill, nga kardinali Peter Turkson, Prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Pas tij, kardinali Gerhard Ludwig Müller, Prefekt i Kongregatës për  Doktrinën e Fesë, do të vijojë me paraqitjen teologjike të temës antropologjike,  bazuar mbi tre probleme themelore, që lidhen me njeriun:  korp-shpirt; burrë-grua; njeri-shoqëri.

Përveç diskutimeve të specialistëve të sektorëve të ndryshëm, parashikohen edhe dëshmi, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e drejtpërdrejtë të Kishës në favor shtresave më të ligshta. Të hënën, më 3 prill, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do të kryesojë kremtimin  eukaristik, në Bazilikën e Shën Pjetrit.  

Të martën, më 4 prill, në orën 11.30, pjesëmarrësit në Kongres do të priten në audiencë nga Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.