2017-03-31 15:46:00

Imzot Gallagher: të krishterët gjithnjë e më të diskriminuar në Evropë


“Të krishterët gjithnjë e më të diskriminuar në Evropë”: kështu mendon Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili foli dje në Universitetin Katolik të Milanos. Relacioni i tij, me temë “Selia e Shenjtë dhe mbrojtja e së drejtës për lirinë fetare, nga Piu XI deri tek Françesku”, bënte pjesë në konferencën me titull “Nga Kristiada në sfidat e akutalitetit. Rruga e lirisë fetare”, organizuar nga ateneu dhe nga Universiteti Panamerikan. Për atë, që nuk e ka dëgjuar ndonjëherë, Kristiada është kryengritja e popullsisë katolike të Meksikës, në periudhën 1926-1929, kundër presidentit të atëhershëm antiklerikal, Plutarco Elìas Calles, i cili pati miratuar një ligj, që e kufizonte shumë lirinë fetare.

Liria fetare gjithnjë e më e kompromentuar në botë

Imzot Gallagher vuri në dukje se kohët e fundit, në shkallë botërore, pa përjashtuar kontinentin evropian, liria fetare po kompromentohet gjithnjë e më shumë. Në disa raste, denoncoi prelati, mosrespektimi i saj ka arritur  në nivelin e  persekutimit të hapur, megjithëse të krishterët nuk janë viktimat e vetme. Natyrisht, këtu ndikon ekzistenca e shteteve autoritare si Isis, por edhe në vende me traditë të lashtë demokratike, përmasa fetare e jetës shihet me një farë dyshimi, si për shkak të problematikave, që ka sjellë larmia e kulturave, ashtu edhe për arsye të afirmimit të një lloj këndvështrimi, sipas të cilit fetë paraqesin një formë “nënkulture”, janë bartëse të së kaluarës, që duhet lënë pas.

Meritë e krishterimit ndarja ndërmjet “Çezarit dhe Zotit”

Duhet të kujtojmë mirë, nënvizoi imzot Gallagher, se “është meritë historike, e vuajtur, e krishterimit, fakti se ka kontribuar në ndarjen ndërmjet ‘ç’është e Çezarit’ dhe ‘ç’është e Zotit’; se ka krijuar mundësi për zhvillimin e shtetit laik, kuptuar jo si shtet kundër fesë apo si shtet agnostik, por si shtet i vetëdijshëm për vlerën që ka feja për qytetarët e vet. Duke u nisur nga kjo, garanton të drejtën për ta jetuar sipas ndërgjegjes përmasën fetare”.

Edhe në Evropë, të krishterët diskriminohen

Fatkeqësisht, vërejti imzot Gallagher, edhe në Evropë ka forma intolerance dhe diskriminimi kundër të krishterëve. Vetëm në dyvjeçarin 2014-2015, Observatori për intolerancën dhe diskriminimin kundër të krishterëve në Evropë ka marrë 1.700 sinjalizime. Që nga janari 2015, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pati miratuar një rezolutë me titull “Të luftojmë intolerancën dhe diskriminimin në Evropë, në veçanti, ndaj të krishterëve”, me të cilën ftohen shtetet anëtare të marrin masa që çdo evropiani t’i sigurohet liria fetare. Aktualisht, kjo e drejtë u mohohet disa grupeve fetare, prandaj institucionet duhet të ndërhyjnë. Rreziku më i madh para krizës, që po kalon bota, përfundoi imzot Gallagher, është të mbyllemi në vetvete, në “globalizimin e indiferencës”, siç denoncon shpesh Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.