Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Dublin 2018: Kisha e familja për udhën e mëshirës

Logoja e Takimit Botëror të Familjes, në Dublin, më 2018 - RV

31/03/2017 14:09

Kisha e familjet janë për udhë, të shoqëruara nga dashuria e mëshirshme e Zotit. Dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit Letra e Papës për Takimin IX Botëror të Familjeve në Dublin, në vitin 2018, si edhe vetë Takimi. Të pranishëm, prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, kardinali Kevin Joseph Farrell dhe, kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin.

Takimi i Dublinit do të paraprihet nga një katekizëm i gjerë mbi rolin e sfidat e familjes, siç shpjegoi kardinali Farrell:

“Kisha e Dublinit është në punë tashmë. Dëshiroj të nënvizoj se përgatitja e kësaj ngjarjeje të madhe është e rëndësishme për të gjitha dioqezat dhe famullitë, po aq sa kremtimi përfundimtar në Irlandë. Vërtet, vetëm në këtë mënyrë, kjo ngjarje mund të ndikojë në jetën familjare, kishtare, kulturore e shoqërore, duke treguar dukshëm bashkimin e gjithë popullit të Zotit dhe të të gjitha familjeve të krishtera rreth Papës”.

 Duke folur për argumentet e Letrës së Atit të Shenjtë, kardinali Farrell nënvizoi se familjet duhen shoqëruar nga Kisha si në fazën para martesës, ashtu edhe pas saj:

“Është e lehtë të shihet ndërthurja reciproke ndërmjet Ungjillit, familjes dhe botës së sotme: nga Ungjilli, familja merr forcë e gëzim; nga familja e ungjillëzuar, arrin në botë lajmi i mirë i dashurisë së mëshirshme të Atit Qiellor”.

Kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin, vërejti se ekziston rreziku që çdo njeri të përpiqet të imponojë idenë e vet personale mbi familjen, e cila mund të mos përputhet me atë risim, që kërkon Papa:

 “Familja është e thirrur të jetë vend takimi me atë mëshirë hyjnore, që shëron e çliron. Familja është e thirrur të jetë vend ku bashkëshortët nuk e duan njëri-tjetrin thjesht për romantizëm, por brenda realitetit dhe vështirësive të përditshme”.

 Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Martin tregoi se më se 1000 fëmijë në Dublin jetojnë në dhoma hoteli, pasi nuk kanë shtëpi. Prandaj, ritheksoi impenjimin e Kishës për t’u dhënë atyre “banesa të denja”, njëkohësisht me mbështetjen për familjet, që kanë fëmijë me të meta fizike, ose mendore. I pyetur për problemin e abuzimeve seksuale nga disa anëtarë të Kishës, kryeipeshkvi i Dublinit pohoi:

“Kisha duhet t’i marrë përsipër e të mos i mohojë kurrë përgjegjësitë që ka. Mendoj se Takimet botërore të familjeve kanë si qëllim të gjejnë dhe të krijojnë besim të ri në jetën e shëndoshë familjare, t’u mësojnë prindërve të kenë besim se fëmijët do të gjejnë një shtëpi të sigurtë tek Kisha. Në këtë fushë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme e sot, disa probleme, që lindën për shkak të abuzimeve seksuale me të miturit, mund të kapërcehen me krijimin e një ambienti më të shëndoshë e më transparent”.

31/03/2017 14:09