2017-03-30 14:39:00

Kardinali Turkson: Papa rezervon për vete çështjen e emigracionit, sepse thelbësore


Fakti që Papa Françesku i ka rezervuar për vete kompetencat në çështjet e emigracionit, të refugjatëve dhe të trafikut të njerëzve, brenda dikasterit të ri vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor,tregon kujdesin e tij të veçantë për këtë temë. Ati i Shenjtë vë në dukje kështu, se kjo temë “meriton të trajtohet nga zëri më me autoritet në Kishë”, deklaroi sot prefekti i dikasterit, kardinali ganez Peter Turkson.

Në takimin me gazetarët, në kuadrin e konferencës për 50-vjetorin e Enciklikës së famshme të Papës Pali VI “Populorum Progressio”, prelati vuri në dukje se një nga arsyet për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është pikërisht emigracioni. Për të njëjtin problem, vijon të ndërtohet muri ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës dhe mbyllen kufijtë në Perëndim. Papa dëshiron të tregojë vëmendjen e tij për këtë argument.

Kardinali Turkson shpjegoi edhe mënyrën, me të cilën Ati i Shenjtë është gjithnjë i informuar për këtë çështje. Dikasteri ka strukturën e vet, por Papa ka zgjedhur dy vetë, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Së paku një herë në muaj, por edhe dy, takohet me këta dy zv.sekretarë, që janë jezuiti kanadez, atë Michael Czerny dhe misionari skalabrinian, atë Fabio Baggio. I pari ka punuar për përkthimin e enciklikës “Laudato si’”, ndërsa i dyti e njeh prej kohësh Atin e Shenjtë, me të cilin ka punuar në Argjentinë, ku atë Baggio merrej me shërbimin për emigrantët në dioqezën e Buenos Airesit.

Duke bërë shaka, kardinali Turkson nënvizoi edhe se ish-kryetari i Këshillit Papnor për Emigrantët, që tashmë bën pjesë në dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, pra, kardinali Antonio Maria Vegliò, “thotë se është i vetmi kryetar dikasteri, që ka Papën si pasardhës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.