2017-03-30 12:38:00

Papa: ëndërroj një Kishë që nuk rri larg plagëve të njeriut


Sot pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, u paraqit para gazetarëve Letra e Papës Françesku për përgatitjen e Takimit IX Botëror të Familjeve, që do të mbahet nga data 21 deri më 26 gusht 2018 në Dublin, në Irlandë, mbi temën: “Ungjilli i Familjes: gëzim për botën”.  Papa Françesku ëndërron “një Kishë në dalje, jo të mbyllur në vetvete, një Kishë që nuk rri larg plagëve të njeriut, një Kishë të mëshirshme, që kumton zemrën e dëftimit të Zotit Dashuri, që është mëshira”. Këtë pra nënvizon Papa Françesku në letrën për përgatitjen e takimit të IX botëror kushtuar familjeve që do të mbahet në Dublin më 2018.  Letra e Papës i drejtohet Prefektit të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinalit Joseph Farrell. Po ja teksti i Letrës së Papës:

I nderuari Vëlla, Kardinali Kevin Farrell,

Në mbarim të Takimit VIII Botëror të familjeve, mbajtur në Filadelfia në shtator të vitit 2015, njoftova se takimi i ardhshëm me familjet katolike të mbarë botës do të mbahej në Dublin. Tani në fillim të përgatitjes, me kënaqësi konfirmoj se ngjarja do të zhvillohet nga data 21 deri më 26 gusht të vitit 2018, mbi temën: “Ungjilli i Familjes: gëzim për botën”. E lidhur me këtë tematikë dhe shtjellimin e saj do të doja të ofroja disa udhëzime më të sakta. Vërtet është dëshira ima që familjet të kenë rastin për të thelluar reflektimet e tyre e për të ndarë sëbashku përmbajtjen e Këshillimit Apostolik pas-sinodal "Amoris laetitia".

Mund të bëhet pyetja: Ungjilli a vazhdon të jetë gëzim për botën? E akoma: familja a vazhdon të jetë lajm i mirë për botën e sotme?

Unë jam i sigurt se po! E kjo “po” është thellësisht e rrënjosur në planin e Zotit. Dashuria e Zotit është “po"-ja e tij ndaj tërë krijimit e ndaj zemrës së tij, që është njeriu. Është “po"-ja e Zotit ndaj bashkimit ndërmjet burrit e gruas, të hapur e në shërbim të jetës në të gjitha fazat e saj; është një “po” e Zotit Dashuri. Vetëm duke u nisur nga dashuria, familja mund të bëjë që Dashuria e Zotit ta manifestojë, përhapë e ri-lindë dashurinë në botë. Pa dashuri nuk mund të jetojmë si bij të Zotit, si bashkëshortë, prindër e vëllezër.

Dëshiroj të nënvizoj sa i rëndësishëm është fakti që familjet të pyesin shpesh nëse jetojnë duke u mbështetur e duke u nisur nga dashuria, për dashuri e në dashuri.

Kjo, konkretisht, domethënë të dhurosh, të falësh, të mos humbësh durimin, të ndihmosh tjetrin, të respektosh. Sa do të ishte më e mirë jeta familjare sikur çdo ditë të jetonim në mesin e fjalëve të thjeshta “me leje”, “faleminderit”, “më fal”. Çdo ditë përjetojmë brishtësinë e ligësinë dhe për këtë arsye të gjithë ne, familje e barinj, kemi nevojë për një ripërtëritje të përvujtë që nxit dëshirën për t’u formuar, edukuar e për të qenë të edukuar, për të ndihmuar e për të qenë të ndihmuar, të shoqëruar, që t’i shquajmë e integrojmë të gjithë njerëzit vullnet mirë. Ëndërroj një Kishë në dalje, jo të mbyllur në vetvete, një Kishë që nuk rri larg plagëve të njeriut, një Kishë të mëshirshme që të kumton zemrën e dëftimit të Zotit Dashuri, që është Mëshira. E është pikërisht po kjo mëshirë e Zotit që na bën të rinj në dashuri; dhe e dimë se sa familje të krishtera janë vende mëshire e dëshmitarë të mëshirës; pas Jubileut të jashtëzakonshëm do të jenë edhe më shumë, e Takimi i Dublinit do të mund t’i ofrojë e tregojë shenjat konkrete.

Prandaj e ftoj mbarë Kishën t’i ketë parasysh këto udhëzime në përgatitjen baritore të Takimit të ardhshëm Botëror.

Ju, i dashuri Vëlla, së bashku me bashkëpunëtorët tuaj, ju takon detyra për t’i bërë të njohura në mënyrë të veçantë mësimet e "Amoris laetitia", me të cilën Kisha dëshiron që familjet të jenë përherë e më shumë në udhëtim, në atë shtegtim të brendshëm shpirtëror që është shfaqja e jetës së vërtetë.

Mendimi im u shkon në mënyrë të veçantë Kryedioqezës së Dublinit e mbarë Kombit të dashur irlandez, për pritjen bujare e impenjimin që sjell mikpritja e një ngjarjeje me kaq peshë. Zoti ju shpërbleftë qysh tani, ju dhashtë hire të begata qiellore.

Familja e Shenjtë e Nazaretit udhëheqtë, shoqëroftë e bekoftë shërbimin tuaj e të të gjitha familjeve të impenjuara në përgatitjen e Takimit të madh Botëror të Dublinit.

Vatikan, 25 mars 2017    

                                                                                                                     Françesku








All the contents on this site are copyrighted ©.