Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Dokumente

Populorum Progressio, 50 vjet: enciklika kundër pabarazisë, tejet aktuale

Pali VI i vë kësulën kardinalore kardinalit Wojtyla - ANSA

29/03/2017 16:17

50-vjet më parë, Papa Pali VI dorëzonte enciklikën, në të cilën denonconte pabarazitë e bujshme, duke u bërë të krishterëve dhe laikëve, thirrje për përgjegjësi.

Është 26 marsi i vitit 1967. Dita e Pashkëve! Pikërisht këtë ditë Pali VI dorëzo tekstin e Populorum Progressio, Enciklikës së madhe shoqërore, me të cilën denoncon shkandullin e pabarazive të bujshme. Papa shkruan me liri të madhe intelektuale, pa lojëra fjalësh: “Prona private nuk përbën për askënd një të drejtë të pakushtëzuar e absolute”.

Fjalët e tij janë  prekëse e rrënqethëse: “Popujt e uritur u drejtojnë sot një thirrje dramatike popujve të ngopur. Kisha tronditet përballë kësaj britme të ngarkuar me ankth. Të mos ndërhysh, do të thotë të vihesh përballë zemërimit të  të varfërve”.

Pali VI shkruan në një botë plot me pabarazi e me shndërrime të rrufeshme.

Evropa e kish kryer rindërtimin e pas luftës, duke u ndarë përgjysëm me perden e hekurt, e procesi i integrimit të Perëndimit  zhvillohej paralelisht me zhdukjen e sistemit kolonial.

Vendet afrikane, prej pak kohe të pavaruara, përballonin sfidën e varfërisë, duke marrë ndihma nga ish–kolonizatorët, ndërsa u duhej të konkuronin me ta në tregjet ndërkombëtare, duke paguar haraçin e vonesës teknologjike e të ligështisë politike të marrëveshjeve tregtare.

Tema e zhvillimit hyn në debatin ndërkombëtar e Pali VI e vë në qendër të angazhimit të Kishës e të Doktrinës së saj shoqërore.

E lindur në vitin 1891, me Rerum novarum të Leonit XIII, kushtuar problemeve të rënda të punëtorëve, kjo doktrinë u zhvillua më tej, duke prekur edhe temën e paqes, me radiomesazhet e Piut XII dhe “Pacem in Terris” të Gjonit XXIII, më 1963.

Me Populorum Progessio Pali VI i shkriu në një të dyja udhët, duke bërë pohimin e madh, me vlera plotësisht aktuale: “Zhvillimi është emri i ri i paqes”. Kjo thirrje nxiti veprimtaritë e shoqërisë civile në gjithë botën. Lindën kështu, programe si “Objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit” të OKB-së, që i hapën udhën përmirësimit të kushteve të jetës në mbarë Planetin.

Por shumë pabarazi të bujshme janë akoma të pranishme kudo në botë. E mund të përfundojnë vetëm në kontekstin e marrëdhënieve solidare, në të cilat marrin pjesë të gjithë, me protagonizëm e me të njëjtin dinjitet  kulturor e politik. Pikërisht kjo e bën jashtëzakonisht moderne thirrjen e Montinit, në rrethana si këto aktualet, të ngarkuara me frikë e paragjykime, që i flasin më shumë barkut e njerëzve, sesa mendjes e zemrës së tyre. Thirrja e Palit VI vijon të jehojë me forcë, duke kërkuar përgjegjësinë e gjithë banorëve të Planetit!

29/03/2017 16:17