Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Kard. Parolin: ta zhvillojmë bujqësinë që të ketë ushqim për të gjithë

Bujkesha - ANSA

29/03/2017 13:27

Njeriu të jetë në qendër të bujqësisë. Kjo, thirrja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në një letër për Janez Potocnik, kryetarin e Forumit X për të ardhmen e Bujqësisë, që mbahet në Bruksel. Duke i përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit në emër të Papës, prelati i kërkon çdo vendi të bëjë përpjekje për të siguruar pavarësinë ushqimore. Çdo njeri, nënvizon kardinali, ka të drejtë të ketë ushqim të shëndetshëm dhe të mjaftueshëm, sipas nevojave.

Njeriu në qendër të çdo veprimi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit propozon marrëdhënie të ngushta ndërmjet bujqësisë, mbrojtjes së ambientit, zhvillimit ekonomik dhe nevojave të popullsisë botërore. Ai kërkon më tepër vëmendje sidomos në ato zona ku njerëzit janë përjashtuar nga proceset e prodhimit e shpesh, detyrohen të largohen nga tokat e tyre, në kërkim të shpresës në vende të tjera. Gjithashtu, kardinali Parolin përmend ato zona ku veprimtaria bujqësore është e mangët, jo aq e larmishme, prandaj, edhe e papërshtatshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të klimës. Pikërisht në këto zona, nivelet e punësimit janë të ulta dhe miliona njerëz kanë mungesa kronike në ushqim.

Çdo vend të arrijë pavarësinë ushqimore

E fuqishme, thirrja për të marrë përsipër përgjegjësitë, pa u shkurajuar para rrugës së vështirë, që duhet përshkuar. “Çdo përpjekje – shkruan prelati – duhet orientuar në mënyrë të tillë, që secili nga vendet t’i shumëfishojë mundësitë e veta për të arritur pavarësinë ushqimore, duke menduar modele të reja zhvillimi dhe konsumi, duke promovuar forma të organizimit komunitar, që vlerësojnë prodhuesit e vegjël dhe ruajnë ekosistemet lokale e biolarminë”. Zgjidhja nuk është “imponimi i një modeli prodhimi në favor të grupeve të vogla”, e “as të mendohet puna në bujqësi, duke u nisur nga rezultatet e arritura në laborator”. Një qasje e tillë, megjithëse është burim i menjëhershëm përfitimesh për disa, mund t’u sjellë dëme të tjerëve.

29/03/2017 13:27