Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Motër Maria Kaleta nderohet me “Kryqin për Kishën e Papën”

Motër Maria Kaleta merr Kryqin për Kishën e Papën - RV

27/03/2017 14:44

Në festën e Zojës Nunciatë, më 25 mars, bashkësia katolike e famullisë Shën Nikolli Pistull, u mblodh për të festuar një murgeshë imcake, të mbijetuar nga komunizmi. Është motër Marie Kaleta, të cilën Ati i Shenjtë Françesku, që ia dëgjoi dëshminë gjatë vizitës së tij në Tiranë, e ka nderuar me medaljen e “Kryqit për Kishën e për Papën”. Medalja u dha për herë të parë nga Papa Leoni XIII më 17 korrik 1888, me Letrën apostolike “Quod Singulari Dei Concessu”, për të përkujtuar 50-vjetorin e meshtarisë së tij. Sot ajo u jepet laikëve ose të shuguruarve, që dallohen për shërbimin e tyre ndaj Kishës dhe Papës së Romës. Më hollësisht për ceremoninë e dorëzimit të Kryqit, të dëgjojmë informacionin e Violeta Marashit nga Vau i Dejës….

Me kërkesën e Kuries Dioqezane të Sapës, Ati i Shenjtë Francesku është denjuar t'i japë Motër Maria Kaletës  P.F.SS. (stigmatine), Dekoraten e Kryqit të Lartë për Kishën e Papën (Pro Ecclesia et Pontefice) të themeluar kryesisht për ata që janë dalluar për "Përkushtimin, Zellin, Shërbimin" dhe angazhimin e tyre, duke i dhënë njëkohësisht të drejtën për ta mbajtur në publik këtë Dekoratë. 

Në festën e Lajmërimit të Zotit që ndryshe njihet si festa e Zojës Nunciatë, datë 25 mars 2017, bashkësia katolike e famullisë Shën Nikolli Pistull, u mblodh në kremtimin e ceremonisë së rastit.

Nderuan me praninë e tyre  përfaqëuesi i Selisë së Shenjtë në vendin tonë, i ngarkuari me punë në Nunciaturën Apostolike, Mons. Romanus Mbena, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, Nëna Gjenerale e motrave Stigmatine e ardhur enkas për këtë rast nga Italia, përfaqësues të pushtetit lokal si dhe besimtarë të shumtë.

Që në fillim të kremtimit të udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli, ai iu shprehu mirëseardhjen të gjithëve dhe mirënjohjen ndaj Zotit duke e falenderuar për dhuratën e jetës dhe shëndetin e plotë të Motër Maria Kaletës; për shërbimin e saj për shumë e shumë vite, e mbi të gjitha gjatë regjimit komunist; t'i japim lavdi Zotit për punën dhe përkushtimin e ringjalljes së fesë në zemrat e besimtarëve në shumë fshatra të Zadrimës, punë të cilën besoj se të gjithë ju e njihni dhe e dini shumë mirë se ajo, me thjeshtësinë e saj, e realizonte shpalljen e Ungjillit me shumë dashuri dhe përvujtëri. Ndërsa gjatë homelisë së rastit, dom Simoni iu drejtua Motër Maries duke i thënë se veprimtarinë tënde të 45 viteve të tua në noviciat, e flet më së miri fytyra e jote e vuajtur me rrudhat e saj, sepse je munduar gjithmonë t’i qëndrosh afër axhes tënd,  Martirit dom Ndoc Suma në vitet e vuajtjeve të tija nëpër burgje, dhe bashkëmotrës tënde martire, Marije Tuci. Ti, halla Marije siç edhe të thërrasin e gjithë bashkësia, je kushtuar vullnetarisht për t’iu shërbyer të gjithëve në kishë në shërbim për më të vegjëlit, të sëmurët, të vuajturit, të varfërit,  në çdo aspekt, social - kulturor, në të gjitha rrethanat.

Halla Marije, si Administrator i kësaj Dioqeze  e falenderoj Zotin për jetën rregulltare tënden, dhe të falenderoj Ty, për dashurinë e shprehur në vepër, për këtë vend dhe popull, kaq të vuajtur dhe uritur për Zotin. Gjatë këtyre viteve të shërbimit tënd je angazhuar që ta shuash këtë uri me Fjalën e Zotit dhe me sakramentet e shenjta.

Gjithashtu, Dom Simoni kujtoi dhe nuk mund të mos e përmendte edhe përkushtimin e saj ndaj tij dhe dom Marjan Lumçit; ndikimin që ajo pati në zbulimin e thirrjes së tyre meshtarake, dhe me përulësi iu drejtua me fjalët:  Të falem Halla Mari, që me ndihmën e Zotit dhe me lutjet tuaja që na kanë shoqëruar pa nda, ia arritëm dëshirës për të qenë një nga shërbëtorët e Zotit.

Më pas, Mons. Romanus lexoi dekretin e dërguar nga Vatikani në të cilin shkruhej titulli zyrtar dedikuar Motër Maria Kaletës. Vetë motër Maria mes emocioneve të shumta shprehi falenderimet e saja për këtë nder dhe mirënjohje që po i bëhej, dhe me modestinë më të madhe thoshte se nuk i meritoj këto.

Motër Maria Kaleta është motra stigmatine që gjatë gjithë regjimit edhe pse në fshehtësi iu përkushtua jetës së murgeshës ku pavarësisht se ka jetuar mes sakrificave, vuajtjeve e përndjekjeve,së bashku me të ka jetuar edhe “feja” pa u lëkundur asnjëherë. Ajo është një martire e gjallë e ditëve tona, që me dëshminë e saj së bashku me Kardinalin Dom Ernest Troshanin, me 24 shtator 2014 përlotën Papa Françeskun në Katedralen e Tiranës.

Sot Motër Marija gëzon plot 88 vjet. Jeta e saj është një dëshmi me plot sakrifica, dhe herë herë me sfida që ia kanë lodhur shpirtin, por nuk u dorëzua kurrë, duke u mbështetur vetëm në Jezu Krishtin.

27/03/2017 14:44