2017-03-27 13:17:00

Kardinali Zenari: kush nuk beson në ferrin, të vijë në Siri


“Nuk gjinden fjalë për ta përshkruar vuajtjen e popullit sirian”. Kështu u shpreh kardinali Mario Zenari, nunc apostolik në Damask, pas Meshës Shenjte, kremtuar për marrjen në dorëzim të famullisë romake të Santa Maria delle Grazie alle Fornaci.

Lutja dhe emocioni i thellë e shoqëruan gjithë kremtimin e marrjes në dorëzim të famullisë së Shën Marisë së Hireve, nga ana e kardinalit Zenari. Është një nga më të lashtat, themeluar në vitet ‘600, krejt pranë Vatikanit, Kisha ku u kremtua Mesha, gjatë së cilës kardinali mbajti një homeli prekëse. Hirësia e Tij i nxiti besimtarët të jetojnë me përvujtëri, të jenë bij të dritës, t’i kundërvihen indiferencës, ta vlerësojnë dhuratën e jetës, t’i duan të afërmit. Pastaj, një britmë e dalë nga zemra e kardinalit, që jeton në Sirinë e martirizuar, të copëtuar që prej gjashtë vjetësh nga një luftë pa rregulla:

“400 mijë të vdekur; dy milionë të plagosur, rreth 5 milionë refugjatë në vendet jashtë Sirisë, më se gjashtë milionë të shpërngulur brenda vendit, rreth 600 milionë të rrethuar, pa asnjë mundësi për të marrë ndihma humanitare. Mijëra fëmijë nën bomba: të vdekur, të plagosur, të gjymtuar, të dërmuar në  trup e në shpirt. Masakër e vërtetë njerëzish të pafajshëm”.

Ky, kuadri, që paraqiti nunci Zenari, i cili, në përfundim të kremtimit, i pyetur nga gazetarët për një vizitë të mundshme të Papës, u përgjigj:

“Papa njoftohet vazhdimisht për këtë, që po ndodh në Siri, e do të dëshironte të vinte, por kjo do t’i rrezikonte të gjithë. Është gati të niset, por çështja është se nuk mund të ketë kurrfarë sigurie, si për të, ashtu edhe për njerëzit, sepse po erdhi Papa në Siri, nuk mund të rrijë në nunciaturë. Sigurisht do të kërkonte menjëherë të takohej me turmat. E ne e shikojmë për ditë ç’po ndodh në Damask me kamikazet! Prandaj Papa nuk mund ta marrë këtë përgjegjësi, po ndodhi ndonjë aksident i tillë.  Duhet t’i themi të presë edhe pak, pikërisht për siguirnë e të gjithëve, jo vetëm të tijën, por edhe të besimtarëve. Sepse çka shohin sytë tanë, kur shpërthen ndonjë kamikaze, është tmerr i papërshkrueshëm me fjalë: 40, 70 e më të vdekur përnjëherësh… Një det gjaku….”:

Nuk di ta përshkruajë gjithë këtë mizori - vijoi:

“E kush e paguan haraçin, është njeriu i thjeshtë, i pafajshëm. Paguajnë përherë civilët, gratë, fëmijët. Vërtet është një luftë e tmerrshme, e tmerrshme! Unë them gjithnjë: ‘Kush nuk beson në ferrin, mjafton të   shkojë atje e do ta shikojë  ç’ do të thotë ferr”.

Kardinali, më pas e nxiti bashkësinë të bëjë më shumë përpjekje për t’i sjellë paqen këtij vendi e për ta ndihmuar popullsinë. I bëri thirrje edhe opinionit publik të ushtrojë presion mbi qeveritë:

“Opinioni publik duhet të bëjë presion mbi qeveritë e ndryshme, sepse jemi para rrezikut të madh që këto drama  pak nga pak të harrohen fare”.

Duke folur, pastaj, për këtë urë, që u krijua me marrjen në dorëzim të famullisë së Trinitarëve,  shprehu bindjen se lutjet e kësaj bashkësie do ta shoqërojnë në çdo hap, atë e popullin sirian.

Ky takim i jashtëzakoshëm përfundoi me të njëjtën atmosferë festive, që kishte filluar, në  mjediset e famullisë, me pjesëmarrjen e Etërve Trinitarë edhe të një turme entuziaste besimtarësh, që e quajtën emërimin e kardinalit Zenari, dhuratë nga ana e Zotit, për një famulli të krijuar që në vitin 1721, për lavd të Trinisë Shenjte e për t’i shërbyer skllevërve të krishterë,  që rrezikoheshin të humbisnin fenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.