2017-03-26 14:19:00

Françesku: faleminderit milanezë, më bëtë të ndjehem si në shtëpi!


T’ia besojmë vetveten Jezusit, “drita e vërtetë e botës”, e jo dritave të rreme, që na largojnë nga i afërmi! Kjo, nxitja e Papës gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, ku tashmë ka shkelur plotësisht pranvera, duke paralajmëruar afrimin e Pashkëve të Ngjalljes.

Papa i falënderoi milanezët për pritjen e jashtëzakonshme, që i bënë me rastin e vizitës së tij në kryedioqezën ambroziane. “Më bëtë ta ndjej veten si në shtëpinë time” - pohoi Françesku - për të nënvizuar, më pas, se në Milano e ndjeu veten mirë si me besimtarët, ashtu edhe me jo besimtarët.

Pritje e jashtëzakonshme, për një ditë të paharrueshme! Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi vizitën e ngarkuar me veprimtari e domethënie në kryedioqezën e Milanos. Papa falënderoi kardinalin Scola dhe të gjithë milanezët, besimtarë e jo, me fjalë të dala plot dashuri nga zemra:

“Vërtet, vërtet u ndjeva si në shtëpi. E kështu me të tërë: besimtarë e jo besimtarë. Ju falënderoj të gjithë, të dashur milanezë e ju them një gjë:  u binda sa e vërtetë është ajo që thuhet: ‘Milano të pret përorë, me shpirt e zemër në dorë!'. Faleminderit".

Para këtyre fjalëve kushtuar vizitës në Milano, Françesku u ndalua tek Ungjilli i së dielës, përqendruar tek Jezusi, që ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër, duke treguar, kështu, se është “drita e botës”.

Pagëzimi na shndrit të gjithëve

Ky episod ungjillor - vërejti Papa - na nxit të reflektojmë për fenë tonë në Krishtin, Birin e Zotit, e njëkohësisht, na kujton edhe Pagëzimin, që është Sakramenti i parë i fesë: Sakramenti, që na bën të dalim në dritë, përmes rilindjes nga uji e nga Shpirti Shenjt:

“I verbri i lindur e i shëruar na përfaqëson ne, kur nuk kujtohemi se Jezusi është ‘drita e  botës’, kur shikojmë gjetiu, kur na pëlqen më shumë t’i besojmë dritave të vogla, kur ecim në terr. Fakti që i verbri nuk ka emër, na ndihmon të shikojmë fytyrën tonë, në të tijën e emrin tonë, në historinë e tij. Edhe ne u shndritëm nga Krishti në Pagëzim e, prej këndej, u thirrëm të sillemi si bij të dritës”.

Nuk duhet të ndjekim dritat e rreme, si paragjykimet e interesat vetjake

E kjo - vijoi Papa - kërkon ndryshimin rrënjësor të mendësisë, aftësinë për t’i gjykuar njerëzit e sendet sipas një shkalle tjetër vlerash, që vjen nga Zoti. Sakramenti i Pagëzimit - shtoi -  na kërkon të zgjedhim ndërmjet jetës si bij të territ a si bij të vërtetë të dritës. E të ecim në dritë. Por, ç’do të thotë të ecësh në dritë? – pyeti Papa:

“Do të thotë, sidomos, t’i braktisësh dritat e rreme: dritën e ftohtë e boshe të paragjykimit kundër të tjerëve, sepse paragjykimi e shtrembëron realitetin e na  mbush me neveri ndaj atyre, që i gjykojmë pa pikë mëshire  e i dënojmë pa shpresë faljeje. E kjo është buka jonë e përditshme, eh?”.

Kur i përgojon të tjerët, nuk ecën në dritë, ecën në errësirë. Një dritë tjetër e rreme, sepse joshëse dhe e dyshimtë, është ajo e interesit vetjak: nëse i vlerësojmë njerëzit e sendet mbi bazën e kriterit të dobisë sonë, të kënaqësisë sonë, të autoritetit tonë, marrëdhëniet e situatat tona nuk mund të jenë të vërteta. Nëse ecim në rrugën e kërkimit të interesit personal, domethënë se ecim në terr të verbër.

Martirët e Lum spanjollë, shembull i dëshmisë të krishterë heroike

Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi Lumnimin, në Spanjë, të Josè Alvares-Benavides y de la Torre dhe 114 shokëve të tij, martirë gjatë Luftës civile spanjolle:

“Këta priftërinj, rregulltarë e laikë janë dëshmitarë heroikë të Krishtit dhe të Ungjillit të Tij të paqes e të pajtimit vëllazëror. Uroj që shembulli e ndërmjetësimi i tyre ta mbështesë angazhimin e Kishës për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.