Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa ndërmjet të burgosurve të San Vitore: “Ju për mua jeni Jezusi”

Papa drekon me të burgosurit - AP

25/03/2017 18:54

Thellësisht prekëse, vizita e Papës në burgun e San Vitore. “Ju falënderoj për mikpritjen. Ndjehem si në shtëpi me ju” - u tha Papa Françesku rreth 130 të burgosurve e të burgosurave të cilët, që nga ora 10.30 e prisnin më mjediset e burgut, sipas njoftimit të kanalit të internetit të kryedioqezës së Milanos.  E pastaj shtoi: “Jezusi ka thënë: ‘Isha i burgosur e ti erdhe të më vizitosh’”. Ju për mua jeni Jezusi, jeni vëllezër. Unë nuk kam guxim t’i them asnjë njeriu që është në burg: "E meriton!".  Pse ju, e jo unë? Zoti më do mua, ashtu si ju do juve: i njëjti Jezus është në ju e në mua. Ne jemi vëllezër mëkatarë. Ju mendoni për fëmijët tuaj, familjet tuaja, prindërit tuaj. Ju, që jeni Zemra e plagosur e Jezusit!

Papa i dëgjoi me vëmendje dy nga 130 të burgosurit, që folën në emër të të gjithëve. “Rrezikohemi të fundosemi në errësirë” - shfreu një grua, ndërmjet 80 të burgosurave në San Vitore. “Dëshirojmë të ecim në rrugën e fesë e të ripërfshirjes në radhët e shoqërisë”. E, duke iu drejtuar Papës, gruaja  e quajti shembull i madh,  që përshkon udhët e varfërisë, duke u çuar mesazhin e paqes e të mëshirës skamnorëve. “Dëshira e gjithë të burgosurve - vijoi - është të kthehen, të jetojnë jetën e tyre të përditshme, të punojnë e, në mbrëmje, të rikthehen në shtëpi, në familje. Jemi mëkatarë të gjithë, por, si të gjithë, e kemi edhe një zemër, të aftë për të dashur. Lutuni për ne e për familjet tona” - përfundoi gruaja, që përfaqësonte grupin e grave të dëshiruara për familjet dhe fëmijët e tyre, pas hekurave të burgut.

I burgosuri, që foli menjëherë pas saj, i kërkoi Papës të luteshin së bashku për ata, të cilëve u ka bërë keq, që të mund ta falin.  Kërkoi edhe lutje, që në burg të ketë paqe, ndonëse atje janë mbyllur njerëz të etnive të ndryshme, por edhe që bota politike ta realizojë sa më shpejt reformën e burgjeve, që të mbrohet dinjiteti e secili të ketë mundësi të dalë prej aty njeri tjetër. E lutje, që të marrin fund padrejtësitë, persekutimet, dhuna, diskriminimi, racizmi...”.

Kujtoi edhe botën e vullnetarëve e kërkoi lutje “për të gjithë vullnetarët që ndihmojnë, sjellin shpresë e dashuri. Për vullnetarët, që qëndrojnë pranë të burgosurve, pa paragjykime". E pastaj shtoi: “Ne lutemi për ju, që të keni forcë të vazhdoni të vizitoni edhe burgje të tjera, në Itali e në botë. Ju do të mbeteni gjithnjë në zemrat tona e në lutjet tona të përditshme".

Papa ua shtrëngoi dorën të gjithëve, para se të vizitonte repartet e tjera, duke kaluar nga “Klinika”, tek “të mbrojturit”, “të rinjtë”… derisa arriti  atje, ku e priste një tryezë e gjatë me 100 të burgosur, që drekuan me të. Gjithçka kaloi në një atmoferë karakteristike për drekat ndërmjet miqve.

Në hyrje të burgut Papa Françesku përshëndeti nënat e Icam (Burgu për nënat) me fëmijët e tyre. E, në korridorin e “Komandës”, u takua me  rreth 60 punonjës, edukatorë, vullnetarë. Një përshëndetje të posaçme i drejtoi Papës një polic i ri, i gjymtuar, i detyruar ta lërë shërbimin dhe Maria, dekane e vullnetarëve, 93 vjeçe, 27 vjet shërbimi në San Vitore. E Papa, duke qeshur, i tha: “A po ma jep recetën?”.

Komenti i të burgosurve, në përfundim të vizitës, ishte: “Për disa minuta nuk e ndjemë më veten në burg”. 

25/03/2017 18:54