Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Një milion në meshën e Papës në Milano: të rigjejmë gëzimin e shëlbimit

Papa kremton meshën në Milano

25/03/2017 18:13

Shpresa e krishterë dhe kumti i shëlbimit lindin në jetën e përditshme, pavarësisht nga ankthi, konfuzioni e lufta e çdo dite. Kështu tha Papa në homelinë e meshës së Solemnitetit të Lajmërimit të Zojës, në Parkun e Monxës, në praninë e një milion besimtarëve, në këtë etapë të katërt të vizitës së tij në Milano. Ati i Shenjtë lavdëroi karizmat dhe misionarët e tokave ambroziane, që në shekuj, sollën risi në jetën e Kishës e milanezëve u kërkoi të mos kenë frikë nga kufijtë e nga ndryshimet ndërmjet njerëzve.

Spekullohet me jetën, me punën, me familjen

         Një turmë pa fund, festive, që valëviste flamuj e ngrinte lart parrulla, e priti Papën në një nga parqet më të mëdhenj historikë të Evropës. Xhiroja me papamobil, në mesin e njerëzve, zgjati më shumë se gjysëm ore e, deri sa Françesku mbërriti në elter, thirrjet e gëzimit vijuan me të njëjtin intensitet. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë komentoi pjesën ungjillore, ku tregohet për Lajmërimin e Zojës, në dritën e një lajmërimi tjetër domethënës, atë të lindjes së shën Gjon Pagëzuesit. I pari ndodh në një vend të humbur të Galilesë, në anonimatin e shtëpisë së një vashe të re, që quhej Maria; tjetri, në Shenjtëroren e Tempullit në praninë e gjithë asamblesë. Një kontrast jo i pakët, pohoi Ati i Shenjtë, që nënvizoi se takimi i Zotit me popullin e vet mund të bëhet në çdo rrethanë, por Ai i Lumi hyn gjithnjë në shtëpitë tona, merr pjesë në luftën tonë të përditshme plot me ankthe e me dëshira. Edhe sot, në qytete, në shkolla, në sheshe, në universitete, në spitale, tingëllon ky kumt, që bën të lindë jeta dhe shpresa. Por si Maria, edhe ne, vijoi Papa, mund të hutohemi para një realiteti, që e mbyt gëzimin dhe e ngurtëson zemrën:

         “Spekullohet me jetën, me punën, me familjen. Spekullohet me të varfërit e me emigrantët; spekullohet me të rinjtë e me të ardhmen e tyre. Gjithçka duket se reduktohet në shifra, duke lejuar, nga ana tjetër, që jeta e përditshme e shumë familjeve të ngjyhet me pasiguri. Ndërsa dhimbja troket në shymë dyer, ndërsa në shumë të rinj rritet pakënaqësia për mungesën e mundësive të vërteta, spekullimi shtohet gjithandej”.

Të mos mbetemi spektatorë të thjeshtë

         Si është e mundur atëherë, me ritmet marramendëse të sotme, që i vjedhin kohë familjes dhe bashkësisë, të jetohet gëzimi i Ungjillit? – pyeti Papa. Si është e mundur ta mbajmë gjallë shpresën e krishterë? Është themelore të gjejmë një mënyrë të re për ta jetuar historinë:

         “Nëse janë akoma të mundura gëzimi e shpresa e krishterë, nuk duhet, nuk duam të mbetemi para situatave të dhimbshme si spektatorë të thjeshtë, që shohin qiellin, duke pritur ‘të pushojë shiu’. Gjithçka ndodh kërkon nga ne ta shohim të tashmen me guxim”.

 Të kujtojmë të kaluarën

         Para hutimit të Marisë, para hutimit tonë, Papa theksoi se gëzimi i shëlbimit merr formë në jetën e përditshme. Ati i Shenjtë propozoi tre qëndrime, të cilat na ndihmojnë ta pranojmë misionin, që na është besuar. Para së gjithash, të kujtojmë të kaluarën, ashtu si Engjëlli i kujtoi Virgjërës premtimin që Zoti i pati bërë Davidit. Edhe ne, pohoi Françesku, duhet ta shohim të kaluarën, për të mos harruar nga vijmë e për ta ruajtur trashëgiminë, që na kanë lënë gjyshërit:

         “Kjo tokë e njerëzit e saj kanë njohur dhimbjen e dy luftrave botërore; nganjëherë, fama e tyre si punëtorë të mëdhenj e njerëz të qytetëruar është ndotur nga ambiciet mashtruese. Kujtesa na ndihmon të mos mbetemi pengje të fjalëve, që mbjellin ndarje e përçarje, si mënyrë e vetme për zgjidhjen e konflikteve. Kujtesa është ilaçi më i mirë para zgjidhjeve magjike të ndarjes e të largimit nga njëri-tjetri”.

T'i përkasim gjithnjë popullit të Zotit

         Hapi tjetër i rëndësishëm është ta ndjesh e ta jetosh vazhdimisht përkatësinë në popullin e Zotit, i cili është i thirrur të mos ketë frikë t’u japë dorën atyre, që kanë nevojë, sepse në fytyrën e nevojtarit, në historinë e tij, është i pranishëm Zoti:

         “Milanezë po, ambrozianë, sigurisht, por pjesë e Popullit të madh të Zotit. Popull i formuar nga mijëra fytyra, histori e prejardhje, popull shumëkulturor e shumetnik. Kjo është njëra prej pasurive tona. Është popull i thirrur për t’i pranuar ndryshimet, për t’i integruar me respekt e krijimtari dhe për të kremtuar risitë që sjellin të tjerët; është popull, që nuk ka frikë të përqafojë caqet, kufijtë”.

 Asgjë s’është e pamundur për Zotin

         Së fundi, duhet të kujtohemi se asgjë s’është e pamundur për Zotin. Kur besojmë se gjithçka varet nga forcat tona, pohoi Papa, mbetemi pengje të aftësive dhe të horizonteve tona të verbëra, por, në se e lejojmë Zotin të na ndihmojë, ia hapim zemrën Hirit Hyjnor e, kështu, e pamundura bëhet realitet:

         “E dinë mirë këto toka, që, përgjatë historisë, lindën shumë karizma, shumë misionarë, shumë pasuri për jetën e Kishës! Sa e sa fytyra, që, duke kapërcyer pesimizmin e shterpët dhe përçarës, ia hapën zemrën nismës së Hyjit dhe u bënë shenjë e frytshmërisë së një toke, që nuk mbyllet në idetë e veta, në kufijtë e vet dhe në aftësitë e veta, por ua hap dyert të tjerëve”.

25/03/2017 18:13