Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Françesku dialogon në Katedrale: t’u kumtohet Ungjilli të gjithëve, pa frikë nga sfidat

Papa dialogon me klerin

25/03/2017 14:09

"Kur i hedhim rrjetat e ungjillëzimit, duhet të kujtojmë gjithnjë se nuk jemi ne, që i marrim peshqit, është Zoti, ai që i merr”. Papa e nisi me këtë figurë ungjillore dialogun me meshtarët, në Katedralen e Milanos.

Sfidat e ndihmojnë Kishën të angazhohet, që feja të mos shndërrohet në ideologji

Duke iu përgjigjur don Gabriel Gioa-s për sfidat e shoqërisë e të Kishës, Papa vuri posaçërisht në dukje se sfidat janë pozitive për Kishën, prej këndej, nuk duhet të trembemi nga sfidat, sepse të bëjnë të rritesh:

“Janë shenjë e një feje të gjallë, e një bashkësie të gjallë, që i ka sytë e zemrën gjithnjë hapur. Duhet të trembemi nga feja pa sfida, që nuk ka nevojë për asgjë, sepse gjithçka është bërë. Kjo fe është spirilang e nuk i duhet gjë kujt. Prej kësaj duhet të kemi frikë. Sfidat na ndihmojnë që feja jonë të mos bëhet ideologjike”.

Feja është një, por larmitë e pasurojnë jetën e Kishës

Në vijim Françesku foli për përmasën shumëkulturore, që i dallon shoqëritë tona. Nuk duhet t’u trembemi larmive - theksoi Papa - me vetëdijen se Kisha është një, por me përvojë shumëformëshe. E kjo është edhe pasuria e Kishës.

Të ndihmohen të rinjtë të zgjedhin të mirën, në “kulturën e bollëkut”

Papa nuk i harroi të rinjtë,  që duhen ndihmuar për të dalluar të mirën nga e keqja, në kulturën e bollëkut:

“Të rinjtë tanë janë nën ndikimin e një zapping-u të vazhdueshëm. Mund të ndjekin njëkohësisht shumë skenare virtuale. Na pëlqen apo jo, kjo është bota, në të cilën jetojnë e ne, si barinj, e kemi për detyrë t’i ndihmojmë ta përshkojnë këtë botë. Prej këndej, mendoj se është mirë t’i mësojmë të  shqyrtojnë, që t’i kenë mjetet dhe elementet, të cilat i ndihmojnë për të ecur në jetë,  pa u shuar kurrë Shpirti Shenjt, në shpirtin e  tyre”.

Diakonati të jetë rojtar i shërbimit në Kishë

Më pas, duke iu përgjigjur Roberto Crespit për veçantinë e shërbimit  të diakonatit, Papa e vlerësoi shërbimin e diakonëve në Kishë dhe u tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga dy rreziqe, që mund ta kërcënojnë diakonatin: klerikalizmi e funksionalizmi. "Diakoni - theksoi - është rojtar i shërbimit në Kishë. Shërbimi është fjala kyçe, nga e cila vjen gjithë zhvillimi i punës suaj, i thirrjes suaj, i qenies suaj në Kishë”.

Jemi tharm, ta mundim nënshtrimin e të nisim proceset

Së fundi Papa iu përgjigj Nënës Paola Paganoni. Rregulltarja e pyeti mbi sfidat e të krishterëve, që janë pakicë në shoqërinë e sotme. Papa u përgjigj se të jesh pakicë, nuk do të thotë të nënshtrohesh, por të mos harrosh kurrë se gjithnjë duhet tharmi, që është i vogël, por që thar gjithë brumin. Prej këndej, sot duhet luftuar për unitetin, më shumë se të kapemi pas konflikteve të kaluara, të dëgjojmë realitetin, t’ia hapim zemrën “masës” , Popullit shenjt, besnik të Zotit.

E, në pëfundim, Françesku kërkoi me ngulm të zgjidhen periferitë e të shndërrohet brishtësia, në hapësirë bekimi, në një shoqëri, që është bërë e pandjeshme për dhimbjen e të tjerëve.

Kjo, përgjigjja e fundit e Papës drejtuar njerëzve të Kishës. Si kujtoi dëshminë e dy murgeshave në Afganistan, Françesku theksoi se detyra e të krishterit është të shkojë në periferitë ekzistenciale, të jetë misionar e të shkelë në kufijtë më të skajshëm, për ta takuar Zotin.  

25/03/2017 14:09