Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Festa e madhe e të rinjve në San Siro të Milanos, me Papën

Papa në stadiumin San Siro, Milano - REUTERS

25/03/2017 20:07

Festë e madhe në stadiumin San Siro të Milanos, gjatë takimit të Papës me të rinjtë, që kanë marrë krezmimin gjatë këtij viti. Koreografi, muzikë dhe valle, që lanë mbi fushën e gjelbërt të stadiumit figuren e Krishtit. E pastaj dialogu me Atin e Shenjtë, si zakonisht, i hapur, i gjallë, intensiv, i gëzueshëm, me fletët zyrtare, që – po – Papa i kishte përpara, por që shpesh i linte mënjanë për ta parë në sy atë turmë të hareshme e për t’i folur me zemër e pa letër të rinjve protagonistë. Duartrokitje, të qeshura, pjesëmarrje e madhe e të gjithëve, në një stadium ku nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës.

         Papa, i cili erdhi me helikopter, e pa që sipër spektaklin e stadiumit. Fëmijët e vunë re dhe San Siro gjëmoi nga thirrja “Françesku”. Kur hyri me papamobil, Ati i Shenjtë bëri një xhiro, që zgjati rreth 10 minuta. I sollën një vajzë të vogël për ta puthur e së fundi, iu desh t’u bëjë shenjë me dorë të rinjve, që ato kore të zjarrta të heshtnin.

         Tri, pyetjet e, tri, përgjigjet e Papës: të rinjve u tha të flasin me prindërit; prindërve u kërkoi të luajnë me fëmijët, ndërsa edukatorët i këshilloi të punojnë me rininë me kokë, me duar e me zemër. Për të përfunduar me thirrjen kundër bullizmit në shkolla e kudo.

 

Çfarë të ndihmon të jesh mik me Jezusin?

         Davidi ishte një djalë, që vinte nga Cornaredo. E pyeti Papën: “Po ty, kur ishe sa ne, çfarë të ndihmoi të jesh mik me Jezu Krishtin?” E Ati i Shenjtë përgjigjet: “gjyshërit, loja me miqtë, famullia”. Gjyshërit, qeshi Françesku, janë të një kohe tjetër, nuk dinë të përdorin kompjuterin, nuk kanë celular, por kanë urtinë e jetës e na mësojnë si të rrimë pranë Krishtit. “Flisni me gjyshërit”, i këshilloi Papa të rinjtë. “Bëjuni pyetje. Dëgjojini”. E pastaj i nxiti edhe të luajnë së bashku, por të luajnë pastër, sepse kjo lloj loje të mëson të respektosh të tjerët, të punosh në skuadër, t’i bësh tuat ato vlera, që na bashkojnë me Jezusin.

 

“Prindër, luani me fëmijët”

         Monika dhe Alberti, prindër tre fëmijësh, pyetën si t’ua transmetojnë bukurinë e fesë. Kthehuni edhe një herë fëmijë, u tha Papa, e mendohuni kush ju ka ndihmuar për t’u rritur në fe, në cilat situata e keni ndjerë Zotin afër. Vetë Ati i Shenjtë tregoi se për të ka qenë i rëndësishëm një meshtar nga dioqeza e Lodit, në Itali. Ai e pati pagëzuar e tek ai, Papa i sotëm kthehej gjithnjë deri sa hyri rishtar. “Ishte apostull i rrëfyestores - kujtoi Françesku me mallëngjim - i mëshirshëm, i mirë, punëtor. E më ndihmoi të rritem në fe”.

         E mos harroni, vijoi t’u fliste prindërve, se fëmijët ju shohin. E, edhe vuajnë, kur grindeni, e paguajnë një çmim tepër të lartë, kur ndaheni. Duke i këshilluar të lexojnë “Amoris Laetitia”, Ati i Shenjtë theksoi:

         “Syçkat e fëmijëve, dalëngadalë, memorizojnë dhe shohin me zemër se si feja është një nga trashëgimitë më të mira, që keni marrë nga prindërit dhe paraardhësit tuaj. E kuptojnë këtë…Tregojuni se si feja na ndihmon të ecim përpara, të përballojmë dramat, jo me qëndrim pesimist, por plot besim. Kjo është dëshmia më e mirë, që mund t’u japim atyre”.

         Papa Françesku dha shembullin e familjeve që shkojnë së bashku në meshë e pastaj, së bashku me fëmijët shkojnë në ndonjë park, që ata të luajnë. Kështu, tha, feja kthehet në diçka të përbashkët mes familjeve, që i shenjtërojnë festat së bashku. Ati i Shenjtë i këshilloi prindërit të “humbasin kohë” për të ndenjur me fëmijët, për të luajtur me ta, jo vetëm punë e shkollë. E në këtë kuadër, ka vend edhe për solidaritetin e për veprat e mëshirës.

 

Anekdota e solidaritetit

         E Papa tregoi një anekdotë. Një nënë, në drekë, me tre fëmijët e saj, përshkroi Françesku skenën. Dikush troket në derë e djali i madh shkon të shohë. Ishte një lypës, që kërkonte diçka për të ngrënë. “A t’ia japim?”, pyet nëna fëmijët e ata, natyrisht, përgjigjen pozitivisht. “Mirë - u tha e ëma - po bëjmë dy panine për të. Secili prej jush ta ndajë përgjysëm të vetën, që po ha tani, dhe kështu bëhen dy panine për lypësin”. “Po kemi ushqime të tjera”, i thonë të bijtë. “Jo, ato janë për darkë”. “Kështu, kjo nënë u mësoi fëmijëve solidaritetin, por atë që të kushton, jo atë që të tepron”, theksoi Papa, i cili, duke qeshur, tregoi fundin e historisë. Pas një jave, e njëjta nënë shkon në pazar dhe i lë fëmijët në shtëpi. Kur kthehet nuk gjen tre, por katër, sepse një lypës tjetër kishte trokitur në derë, e fëmijët e kishin futur brenda e po pinin bashkë me të kafe me qumësht e po hanin biskota.

 

Edukim me mendje, me zemër e me duar

         Valeria, katekiste e dioqezës së Milanos, e pyeti Papën për mënyrën e edukimit të të rinjve. E Papa nuk priti t’i thonë dy herë: “Unë do të këshilloja një edukim të bazuar mbi mendimin-dëgjimin-veprimin, pra, një edukim me mendje, me zemër e me duar, tri gjuhë në harmoni”. Nocionet janë të rëndësishme, nënvizoi më pas, por pa zemrën për ta ndjerë atë që bëjmë e, pa duart për t’i vënë idetë në veprim, nocionet nuk vlejnë për gjë. E duke treguar një anekdotë tjetër, i këshilloi edukatorët të kenë kujdes kur japin dënime, sepse nganjëherë efekti është i kundërt me atë që dëshirojmë. Të rinjtë duhen motivuar, jo dënuar. E duhen ndjekur në zhvillimin e talenteve personale, që nuk përfshijë të gjitha lëndët: dikush është më i dhënë pas sportit e dikush pas matematikës, por të gjithëve, sipas Atit të Shenjtë, u duhet dhënë mundësia të ndjekin talentin personal. Gjithashtu, nuk duhet harruar se fëmijët kanë nevojë edhe të argëtohen e të flenë.

 

Papa Françesku kundër bullizmit

         Papa përfundoi me një thirrje kundër bullizmit, “fenomen i shëmtuar i këtyre kohëve, që më shqetëson”, tha ai. E i bëri të rinjtë t’i premtojnë Zotit e Krishtit, që bullizmi të mos hyjë në shkolla e në lagje. “Atyna” mbylli festën e bukur të San Siros dhe vizitën e Atit të Shenjtë në Milano, i cili, si zakonisht, u kërkoi të gjithëve të luten për të.

25/03/2017 20:07