2017-03-24 13:02:00

Kard. Scola: Papa Françesku në Milano, qytet i gatshëm për mesazhin e tij


Nesër, Papa Françesku shkon për vizitë baritore në Milano. Gjen një qytet në zhvillim të vrullshëm. Shihen sinjale, megjithëse kontradiktore, për një lloj rilindjeje në të gjitha fushat: në ekonomi, në kulturë, në solidaritet, në miqësinë ndërmjet qytetarëve. Së paku, kështu mendon kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Angelo Scola, i cili i dha një intervistë Radio Vatikanit, ku përshkruan edhe interesin me të cilin pritet Ati i Shenjtë Bergoglio:

Sigurisht që vëmendja e botëve të ndryshme të Milanos është shumë e madhe. E tregon këtë kujdesi, detajet, cilësia e hapësirës dhe e kohës, që i kushtojnë ngjarjes mass mediat, në të gjitha nivelet.

Vizita e Papës duket sikur shkon pas gjurmëve të “Evangelii Gaudium”…

Është shumë e vërtetë. Nëse meditojmë sado pak mbi gjestet, që do të bëjë Papa, s’mund të mos dalë në pah filli i kuq i Nxitjes Apostolike “Evangelii Gaudium”.  Ati i Shenjtë hyn në qytet, duke shkuar më parë në periferi, ku ekzistojnë sektorë të shtrirë degradimi. Pse? Sepse dëshiron të imitojë stilin edukativ të Jezu Krishtit, i cili nisej gjithnjë nga të mënjanuarit, nevojtarët, të sëmurët, nga më të varfërit dhe i ftonte të gjithë t’i shihnin të tjerët me këtë vështrim purifikues, thelbësor, të përqendruar mbi domethënien e jetës, që e kupton vetëm nëse – siç thotë Papa – i prek me dorë të varfërit.

Milano është një nga kryeqytetet ekonomike evropiane. Papa shkon në Milano, por jo në të ashtuquajturin “city”. Shkon në periferi e në burg…

Eh po! Ai dëshiron t’i ftojë të gjithë, edhe botën e financës e të ekonomisë, se cilës i ka bërë një sërë pyetjesh të sakta në “Evangelii Gaudium”, të mos e humbasë perspektivën e punës së saj, që i prek deri në kockë qytetarët, të cilët, nga ana e tyre, ka rrezik ta kuptojnë shumë pak e të perceptojnë vetëm elementet e “pabarazisë” në të.  Papa i fton të gjithë njerëzit e financës, të prodhimit, të fushave të ndryshme të kulturës, të shoqërisë civile, të punës, të shëndetit, për të gjetur një qendër në “unin” personal, por edhe një qendër tjetër në jetën e përbashkët, në miqësinë qytetare.

Si mund të ungjillëzohet një qytet i madh financiar si Milano?

Është e mundur përmes dëshmisë, e cila nuk është vetëm shembulli i mirë, por një mënyrë për ta njohur më shumë realitetin dhe për të komunikuar të vërtetën, që gjendet në aspekte të ndryshme të realitetit. Duhet të them se Milano është mjaft e përgatitur për këtë, sepse po kalon një fazë rilindjeje, ka fituar një farë shije për jetën qytetare, pra, është gati t’i presë fjalët e Papës. Ati i Shenjtë do të na tregojë rrugën, të cilën e kemi parë në këto katër vjet papnie. Me Jezusin, i krishteri duhet të impenjohet personalisht aty ku jeton përditë. Të ungjillëzosh do të thotë që një person, ose një bashkësi, të lëvizë, duke u impenjuar konrektisht e jo veç me fjalë. Këtë na tregon Papa: ka autoritet, sepse njerëzit e kuptojnë se impenjohet personalisht, duke i kthyer fjalët në vepra. Kjo është rruga e ungjillëzimit.

Por në Milano ekzistojnë edhe periferitë e të mënjanuarit…

Ka, edhe të rëndësishme, madje! Vetëm se – siç them gjithmonë – hasen me hope; në vështrimin e parë nuk të japin përshtypjen tragjike të një “favele” apo të një “slum”. Por, sidomos në fashën e parafundit të periferisë, ka akoma geto degradimi, sprove, kushtëzimi, mënjanimi, të cilave po u bëjmë ballë përmes vullnetarëve, si katolikë, ashtu edhe laikë, megjithëse nuk mjafton. Duhet menduar pa tjetër për një politikë ndryshe në periferi. Sigurisht, ky kujdes që shumë banorë të këtyre lagjeve, të cilët kanë kushte më të mira, tregojnë ndaj më nevojtarëve, ndaj më të varfërve, është shenjë e çmuar e krijimit të një miqësie qytetare, që do të përcaktojë të ardhmen e Milanos.








All the contents on this site are copyrighted ©.