2017-03-24 15:10:00

Kard. O’Malley mbi pedofilinë: impenjim serioz i Papës për ta çrrënjosur


“Papa Françesku impenjohet seriozisht për çrrënjosjen e abuzimeve seksuale në Kishë” e për ta kthyer atë në një shtëpi të sigurtë për të gjithë, duke promovuar nga brenda kulturën e kujdesit për njeriun. Kështu foli kryetari i Komisionit Papnor për mbrojtjen e të miturve, kryeipeshkvi i Bostonit, kardinal Sean Patrick O’Malley, në “Educaton Day” (Dita e Edukimit) në Universitetin Papnor Gregorian. Takimi i sotëm u organizua nga vetë Komisioni dhe nga Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve të ateneut të jezuitëve. Tema: “Garanci në shtëpi dhe në shkolla: të mësojmë nga përvoja botërore”, në të cilën edukimi është element thelbësor.

Kardinali O’Malley e pati udhëhequr dioqezën e Bostonit menjëherë pas shkandullit të abuzimeve të disa anëtarëve të klerit me të miturit, duke krijuar një shembull pozitiv për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në gjirin e Kishës. Prelati ftoi të gjithë të luten për fëmijët, viktima të shpërdorimeve dhe, për vetë Kishën, “që ajo të jetë bartëse e mesazhit ungjillor në botë edhe përmes impenjimit në mbrojtje të të miturve”. Qëllimi ynë, tha ai, është të mësojmë vazhdimisht mënyra të reja për të zbatuar programe, që mbrojnë viktimat.

“Nëse Kisha nuk impenjohet në mbrojtjen e të miturve, përpjekjet tona për ungjillëzim nuk do të japin fryte” vijoi kardinali O’Malley. “Nuk ka justifikim – ngriti zërin kryeipeshkvi – nuk mund të dështojmë në vendosjen e standarteve të frytshme për mbrojtjen e të miturve dhe të të rriturve më të brishtë”. “Duhet ta përballojmë çështjen e abuzimeve seksuale nga ana e klerit”, theksoi me forcë. Ky nuk është problem vetëm i katolikëve apo i klerit, sepse është i gjithë shoqërisë njerëzore, shpjegoi kardinali O’Malley, por kur abuzimin e bën një prift, dëmi është më i madh.

Për këtë arsye, Papa i ka besuar Komisionit për mbrojtjen e të miturve, përgjegjësimin e Kishës në çdo vend, përmes shkëmbimit të përvojës e gjetjes së zgjidhjeve, me kontributin lokal. Reforma e Atit të Shenjtë nuk ka të bëjë vetëm me strukturat. “Papa – vërejti prelati – na fton, para së gjithash, të reformojmë zemrat, t’i kthejmë ato kah Zoti”. Së dyti, “të krijojmë në kisha ambiente të sigurta për të gjithë”. Por, paralajmëroi kardinali O’Malley, “do të dështojmë, nëse nuk vëmë në plan të parë viktimat. ‘Më parë viktima’ është parimi themelor i Komisionit tonë. Vetëm ata mund të na ndihmojnë. Nuk mund të jemi të lëshuar në këtë punë e duhet të mësojmë nga gabimet tona”.








All the contents on this site are copyrighted ©.