2017-03-24 17:48:00

Imzot Vigano: kriteri apostolik në thelb të reformës së mediave vatikanase


Kriteri apostoliko-misionar është në qendër të reformës së mediave të Vatikanit. Këtë nënvizoi imzot Dario Edoardo Viganò, i cili foli në Festivalin e Krijimtarisë në Universitetin Papnor Lateranens. Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin theksoi se, edhe në frontin e komunikimit shoqëror, duhet ta kapërcejmë tundimin e qëndrimit “është bërë gjithnjë kështu”, duke pasur parasysh se vetëm nëse jemi besnikë të Ungjillit mund të jemi vërtet krijues dhe të gatshëm për ndryshime, siç kërkon Papa Françesku. Së fundi, imzot Viganò nënvizoi se valët e shkurtra të Radio Vatikanit vijojnë të funksionojnë për Afrikën, e cila është në qendër të vëmendjes së dikasterit.

Reforma e mediave është ndryshim thellësor

Në dialog me vatikanistin e Mediaset, Fabio Marchese Ragona, imzot Viganò nënvizoi se reforma e mediave në Vatikan nuk është thjesht retushim, por një ndryshim perspektive, sepse kalohet nga një ide e mediave njëra pranë tjetrës, në idenë e multimediave. “Nuk është e thjeshtë të koordinohen mediat – tha imzot Viganò – sepse shemben struktura e shërbimet ruhen jo më me një logjikë vertikaliste, por brenda një konteksti e një modeli holokratik, që përqendrohet në funksionalitetin dhe në objektivat, që duhen arritur”.

Në këtë kuadër, shtoi, merr rëndësi formimi i punonjësve, me të cilin po merret dikasteri për Komunikimin. Imzot Viganò theksoi se “kriteri udhëheqës” në këtë drejtim, është kriteri “apostolik, misionar”, pra, “fakti që ka një vëmendje të madhe për situatat e vështira, për varfërinë dhe mënjanimin”. Dimë, nënvizoi, se nuk mund të gjenden zgjidhje përmes formave të së kaluarës, por duke kërkuar gjëra të reja më të përshtatshme.

Valët e shkurtra të Radio Vatikanit i shërbejnë Afrikës

Kjo kërkon një vëmendje të veçantë ndaj shpenzimeve dhe investimeve, vijoi imzot Viganò. Pa dyshim, iu përgjigj ndonjë komenti të këtyre ditëve, valët e shkurtra të Radio Vatikanit nuk do të fiken, sidomos për Afrikën:

“Sot për sot, valët e shkurtra nuk janë fikur. Pra, gjithçka kishim për Afrikën, arrin akoma. Mendoj se kjo duhet të jetë e qartë: valët e shkurtra nuk janë mbyllur. Vëmendja ndaj Afrikës është parësore, madje ne po përpiqemi të realizojmë një projekt për 240 radio FM në Afrikë, përmes lidhjes satelitare. Po mendojmë edhe projekte të tjera për të çuar atje fjalët e Papës. Kjo është e rëndësishme! Çështja, sot, nuk është kemi apo jo valë të shkurtra, por si mund të garantojmë që mesazhi i Papës të arrijë në Afrikë dhe në zonat me përhapje të ulët të teknologjisë”.

Gjithnjë për Afrikën, imzot Viganò sqaroi se vëmendja për të tregohet edhe nga marrëveshja me Facebook-un, falë së cilës, në 44 vende do të jetë më e thjeshtë të dëgjohet mesazhi i Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.