2017-03-24 18:54:00

Françesku: të bashkuar me ata, që persekutohen për shkak të fesë


“Kujtojmë shumë vëllezër e motra të krishtera, që u nënshtrohen persekutimeve për shkak të fesë së tyre. Jemi të bashkuar me ta”. Me këtë tweet, Papa Françesku deshi të kujtojë Ditën e lutjes e të agjërimit për kujtim të misionarëve martirë, që kremtohet në çdo përvjetor të vrasjes së të Lumit Oscar Romero, kryeipeshkëv i San Salvadorit. Edhe sot janë të shumtë misionarët e mbytur për fenë e tyre, siç ndodhi më 1996, me shtatë murgjërit trapistë të manastirit të Notre-Dame de l’Atlas, në Tibhirine të Algjerisë, masakruar nga ekstremistët islamikë. Të diel mbushen 21 vjet nga ajo ditë, kur pësuan një nga vdekjet më mizore: therjen në fyt. Prekëse, dëshmia e atit Christian De Chergé. Para se të jepte shpirt, shkroi dy gisht letër, për t’i falur vrasësit. Të dëgjojmë rregulltarin trapist Jacques Brière, abat i Manastirit kundrues romak të Tre Burimeve, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Kujtojmë një shembull jete monastike jetuar deri në fund të fundit e deri në dëshminë e gjakut. Këta vëllezër vinin nga manastire të ndryshme të Francës. Mrekulli, në një farë mënyre, është fakti që, pavarësisht nga origjina e ndryshme, pak nga pak atë Christiani arriti të krijojë një grup shumë të bashkuar e shumë të dëshiruar për ta dëshmuar Krishtin në botën myslimane. E kjo u realizua duke ia dhuruar jetën Zotit, por edhe për meritë të atë Christian-it,  të parit të bashkësisë, që ishte njeri i dialogut me Islamin, e njihte shumë mirë Kuranin dhe krijoi një grup dialogu ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.

Pyetje: - Ç’mbeti, sipas jush, nga ky flijim?

Përgjigje: - Mesazhi që na lanë edhe misionarët e tjerë, që vdiqën në Algjeri në të njëjtën epokë, domethënë, dhurimi i jetës së tyre një populli, që bën pjesë, në një farë mënyre, në popullin e Zotit, edhe pse nuk është i krishterë. Po nuk duhet harruar se të gjithë jemi bijt të Zotit. Mendoj se mesazhi i krishterë është mesazh bashkimi të thellë ndërmjet të gjithë njerëzve, pavarësisht nga feja e nga ndryshimet, që mund të ketë ndërmjet grupeve njerëzore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.