Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Jeruzalem: përfundoi restaurimi i Varrit të Shenjtë

Varri i Shenjtë në Jeruzalem - RV

23/03/2017 11:10

Me një liturgji ekumenike u kremtua në Jeruzalem përfundimi i restaurimit 10-mujor të Varrit të Shenjtë të Krishtit. Shtegtarët mund të rifillojnë sërish vizitat, të cilat ishin ndërprerë pjesërisht. Edhe estetika do të përmirësohet, pasi janë hequr si të panevojshme tashmë, skelat e vendosura nga anglezët në fillim të viteve 900, për ta përforcuar strukturën. Pavarësisht se tani do të fillojë një fazë e dytë pune, për të garantuar qëndrueshmërinë e saj, Fondi Botëror i Monumenteve - organizata joqeveritare, që u mor me restaurimin – siguroi se të dielën, më 16 prill, do të jetë e mundur të kremtohen Pashkët e përbashkëta, katolike dhe ortodokse. Radio Vatikani intervistoi Rojtarin e Tokës Shenjte, françeskanin, atë Francesco Patton:

         Ky, për ne të krishterët, është absolutisht vendi më i rëndësishëm mbi faqen e dheut, sepse është vendi, ku Jezusi fitoi mbi vdekjen. Prandaj, nëse ne flasim për shpresë të krishterë, nisemi pikërisht nga ç’ka ndodhur në këtë vend. Varri Shenjt ka qenë shumë i rëndësishëm gjatë këtij viti, sidomos nga pikpamja e marrëdhënieve ekumenike ndërmjet tri bashkësive më të mëdha: asaj greko-ortodokse, asaj latine dhe bashkësisë armene. Puna e restaurimit ka qenë edhe bangë prove për dialogun vëllazëror, për marrëdhëniet shumë, shumë miqësore, që na lejuan të ecnim përpara me punimet e të mendonim edhe punë të tjera për t’u bërë së bashku, si në zonën e Varrit të Shenjtë, ashtu edhe në Betlehem. Pastaj, këtë vit, kemi këtë përkim të bukur, që në këndvështrimin e krishterë e quajmë “përkim providencial” e që ka të bëjë me datën e Pashkëve. Prandaj, pak javë para Pashkëve, do të mblidhemi të gjithë së bashku rreth Varrit të Shenjtë, ndërsa ditën e Pashkëve, të gjitha bashkësitë tona do të kremtojnë në këtë vend Ngjalljen e Krishtit.

         Në kremtimin ekumenik të djeshëm, i dërguar i Papës Françesku, kardinali Leonardo Sandri, pasi i përshëndeti besimtarët e krishterë në emër të Atit të Shenjtë, nënvizoi se Varri i Krishtit, nga “varr i vdekjes u bë kraharori i jetës” për gjithë Kishën, por edhe burim drite, gëzimi, paqeje e fitoreje për gjithë njerëzimin. “Ky vend i shenjtë – nënvizoi kardinali – shndrit zemrat e jetën e miliona shtegtarëve, ardhur nga çdo vend dhe i fton të jetojnë me shpresë ndërmjet vuajtjeve dhe dhimbjeve. Kremtimi i përditshëm i përbashkët, në rite të ndryshme, pranë shkëmbit të këtij varri bosh dikon gjithnjë guxim të ri në popullsitë e krishtera të Lindjes së Afërt e të Mesme, kaq shumë të sprovuara nga tensionet e konfliktet, që trondisin këto toka: ato nuk do të kenë kurrë forcë për ta shuar, ose për ta errësuar shkëndijën e dritës së Pashkëve, që prej këndej u përhap në mbarë botën”.

23/03/2017 11:10