Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: agjërimi

Agjërimi është dhuratë për Zotin - RV

23/03/2017 14:28

Të dashur dëgjues, jemi në periudhën e Krezhmëve, gjatë së cilës, një nga detyrat e besimtarit është “agjërimi”. Kësaj fjale ia kushtojmë emisionin e sotëm.

 Agjërimi, apo mosngrënia e ushqimeve me dëshirë e jo për dietë, është një fenomen i pranishëm në të gjitha fetë. Përveç Krezhmëve të krishtera, mund të përmendim edhe muajin e Ramazanit, për myslimanët, të cilët e konsiderojnë agjërimin si një nga të pesë shtyllat, mbi të cilat mbahet feja islame. Arsyet për të hequr dorë nga ushqimi janë të ndryshme. Agjërimi biblik ka të bëjë me zinë e me dhimbjen. Vërtet, mund të hartohet një listë e gjatë tekstesh, në të cilat ndërthuret mosngrënia me ngushëllimet për vdekje, pa harruar se ekzistonin gjithsesi, ushqime që konsumoheshin vetëm në raste zie, si ritual funebër.

Arsye tjetër është ajo e pendesës. Bota hebraike për shembull, agjëron në ditën e Kipurit, solmeniteti i Shlyerjes së Mëkateve, një praktikë, që edhe sot ndiqet jashtëzakonisht. Me heqjen dorë nga ushqimi, hebrenjtë nënvizojnë sa i rëndë është mëkati e kërkojnë falje për fajet e tyre, përmes një akti përmbajtjeje fizike.

Por, është profecia ajo, që i jep agjërimit një aspekt më jetësor e më pak ritual, duke e shndërruar në impenjim bamirës për të afërmin. Është emblematike pjesa e Librit të Isaisë, në të cilin Zoti thotë: “Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha: t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë? Ta ndash bukën tënde me të uriturin, t’i shtish në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd” (58,6-7). Paradoksalisht – por jo edhe aq – agjërimi i vërtetë, ai që ndjehet me zemër e nuk është thjesht një rit, duhet të na shtyjë të ushqejmë atë që agjëron forcërisht, për shkak se është aq i varfër, sa nuk ka të hajë.

Edhe Jezu Krishti nuk e rekomandon agjërimin si praktikë rituale, pavarësisht se ajo është shumë e përdorur ndër hebrenj. Në Predikimin e Malit, Ai paralajmëron: “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjimend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje(parfumoje) kryet tënd dhe laje fytyrën tënde, që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë” (Mt 6,16-17).

Pikërisht për këtë arsye, Jezusi nuk e vë agjërimin në majat e përshpirtërisë së tij, në ndryshim nga farisenjtë e edhe nga dishepujt e Shën Gjon Pagëzuesit. Në Ungjillin sipas Markut, jepet qartë mendimi i Krishtit: “A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta, s’mund të agjërojnë” (Mk 2,19).

Krishterimi pra, nuk është fe e asketizmit të ekzagjeruar, e manisë për të nxjerrë në pah edhe me dukjen e jashtme, pendimin për mëkatet. Para së gjithash, është besim në Zotin e shëlbimit, të dashurisë e të gëzimit. Megjithatë, vjen edhe koha e agjërimit: “Do të vijë dita, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin… Atë ditë do të agjërojnë” (Mk 2,20). Është pikërisht periudha e Krezhmëve, në të cilën kujtojmë çastin e “rrëmbimit të dhëndrit”, siç thotë Ungjilli sipas Markut. Edhe vetë Jezusi, para se të fillonte misionin e tij, u tërhoq në shkretëtirë për të agjëruar gjatë nga ushqimi e nga fjalët, sipas shembullit të Moisiut (Mt 4,1-2; Es 34,28).

Kisha Katolike e ka lënë agjërimin e plotë vetëm në dy ditë në vit: të Mërkurën e Përhime dhe të Premten e Madhe. Natyrisht, të premteve, të krishterët nuk hanë mish, për të kujtuar kështu, vuajtjet e Krishtit në kryq. Por pa bujë e pa zhurmë, agjërimi më i mirë para syve të Zotit, është ai i zemrës, që na shtyn të plotësojmë kërkesat e të afërmit në nevojë, siç shkruan Isaia profet.

23/03/2017 14:28