2017-03-22 14:24:00

Papa në audiencën e përgjithshme: tragjedia e emigrantëve, më e madhja pas Luftës II Botërore


Zoti na kërkon të mbjellim shpresë e t’i ngushëllojmë vëllezërit. E kujtoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke vijuar ciklin kushtuar shpresës së krishterë, Françesku nënvizoi sot lidhjen e saj me qëndresën e ngushëllimin. E, në përfundim, kërkoi të mos harrohet drama e emigrantëve, tragjedia më e madhe pas Luftës II Botërore.    

Qëndresa e ngushëllimi

Që prej dy javësh - kujtoi Papa - Shën Pali Apostull po na ndihmon ta kuptojmë më mirë ç’është shpresa e krishterë. E kujtuam, në katekizmin e kaluar, se nuk ishte optimizëm. Jo! Ishte tjetër gjë. E Apostulli na vjen përsëri në ndihmë, që ta kuptojmë ç’është. Sot e bën duke na kujtuar dy mënyra sjelljeje jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën tonë e për përvojën e fesë. Na kujton, pra, “qëndresën” e “ngushëllimin”. Në fragmentin e Letrës drejtuar Romakëve, citohen dy herë: së pari, lidhur me Shkrimet Shenjte e, së dyti, me vetë Zotin. Po cili është kuptimi i tyre më i thellë? Më i vërtetë? E si e ndriçojnë realitetin e shpresës këto dy mënyra sjelljeje: qëndresa e ngushëllimi?

Qëndresën mund ta quajmë edhe durim: e është aftësia për të mbartur, për të mbajtur mbi shpatulla, për të qenë besnikë, edhe atëhere kur barra  duket tepër e rëndë, tejet e padurueshme e tundohemi të gjykojmë keq, ta flakim tutje e të braktisim gjithçka e gjithkënd. Ndërsa ngushëllimi është hiri, që na ndihmon ta kuptojmë e ta vëmë në dukje në çdo situatë, edhe në kulmin e zhgënjimit e të vuajtjes, praninë dhe veprimin përdëllyes të Zotit”.

Tani Shën Pali na kujton se qëndresa e ngushëllimi na transmetohen  posaçërisht nga Shkrimi Shenjt, domethënë, nga Bibla. Në të vërtetë Fjala e Zotit, në radhë të parë, na nxit t’i sjellim sytë kah Jezusi, ta njohim më mirë, t’i afrohemi më tepër, t’i përngjasim gjithnjë më shumë Atij. Në radhë të dytë: “Fjala na dëfton se Hyji është vërtetë ‘Zot i qëndresës dhe i ngushëllimit’, që i qëndron gjithnjë besnik dashurisë së Tij për njeriun, domethënë, nuk heq kurrë dorë nga dashuria për ne: na do gjithnjë! E edhe kujdeset për ne, duke na i mbyllur plagët me ledhatimin e mirësisë së Tij e të mëshirës së Tij, domethënë, duke na ngushëlluar sa herë që jeta bëhet tepër e lodhshme”.

Po ai nuk lodhet kurrë. Vijon të na ngushëllojë në gaz e në vaj: “Në këtë perspektivë, kuptohet edhe pohimi fillestar i Apostullit: ‘Ne, që jemi të fortë e kemi për detyrë t’i mbartim të metat e të ligshtëve e jo të kënaqim vetëm vetveten’. Kjo shprehje ‘ne , që jemi të fortë’, mund të  tingëllojë si fodullëk, por në logjikën e Ungjillit e dimë se nuk është kështu, madje është krejt e kundërta, sepse forca jonë nuk vjen nga ne, por nga Zoti. Dashurinë besnike të Zotit e provojmë çdo ditë në jetën tonë, e     ngushëllimi i Tij na bën të aftë t’u qëndrojmë pranë vëllezërve më të ligshtë e të marrim mbi vete barrën e brishtësisë së tyre”.

Të mbjellim farën e shpresës

Më pas Papa shtoi, duke u shkëputur nga tekstsi zyrtar e duke folur lirisht, siç e ka zakon shpesh:  “Nëse ne rrimë gjithnjë pranë Zotit, e kemi edhe forcën për të qenë gjithnjë pranë njerëzve më të ligshtë, më nevojtarë, për t’i ngushëlluar, për t’u dhënë forcë. Këtë mund ta bëjmë pa vetëkënaqësi, por duke e ndjerë veten thjesht si ‘kanal’ që përçon dhuratat e Zotit’; e kështu bëhemi konkretisht  njerëz, që hedhin farën e shpresës. Këtë kërkon Zoti nga ne, këtë qëndresë e këtë aftësi për të ngushëlluar e për të mbjellur kudo farën e shpresës. Fara e shpresës duhet mbjellur pikërisht sot! Ndonëse nuk është aspak e lehtë…”.

Në bashkësinë e krishterë nuk ka njerëz të serisë A e të serisë B

Fryti i këtij stili jete nuk është bashkësia, në të cilën disa janë të “Serisë A”, domethënë të fortit, ndërsa të tjerët, të “Serisë B”, domethënë të ligshtit. Ndërsa fryti, siç na e kujton edhe Shën Pali, është “të kemi njëri për tjetrin të njëjtat ndjenja, sipas shembullit të Jezu Krishtit. Fjala e Zotit ushqen shpresën, që pastaj shndërrohet në aftësi për të ndarë gjithçka së bashku, për t’i shërbyer me dashuri njëri-tjetrit. Sepse edhe ai që është i fortë, heret a vonë e provon ligështinë dhe e kupton ç’do të thotë të kesh nevojë për ndimën e tjetrit, për ngushëllimin e tjetrit:

“E një bashkësi e tillë, me një shpirt të vetëm e një zë të vetëm, i jep lumni Zotit. Por e gjithë kjo bëhet e mundur vetëm nëse vihet në qendër Krishti, Fjala e Tij, sepse Ai është i forti, vetëm Ai, që jep qëndresë, durim, shpresë, ngushëllim. Ai, vëllai i fortë, që kujdeset për secilin prej nesh: sepse të gjithë kemi nevojë të ngarkohemi mbi shpatullat e Bariut të Mirë  e ta ndjejmë veten të ndjekur nga syri i Tij i butë e ngushëllues.

Të mirëpriten e të integrohen emigrantët, tragjedia më e madhe pas Luftës II Botërore  

Në përfundim të katekizmit,  Papa shprehu edhe një herë shqetësimin e tij për dramën e emigrantëve. Duke përshëndetur pjesëmarrësit në takimin “Drejtorët e Migrantes”, i inkurajoi ta vijojnë mikpritjen dhe ta favorizojnë integrimin, duke pasur parasysh të drejtat dhe detyrat reciproke të atij, që pret e të atij, që pritet: “Të mos harrojmë se problemi i refugjatëve dhe i emigrantëve sot është tragjedia më e madhe, pas asaj të Luftës II Botërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.