2017-03-22 14:40:00

Papa, në Ditën botërore të Ujit: të mbrohet kjo pasuri e të gjithëve


“Nevoja për ta mbrojtur ujin si pasuri e të gjithëve, duke vlerësuar edhe domethëniet e tij kulturore e fetare”: edhe për këtë foli Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme, në Ditën e sotme botërore të Ujit, duke  i përshëndetur pjesëmarrësit në kuvëndimin ndërkombëtar, organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën, me rastin e Ditës së sotme Botërore të Ujit.  Kjo Ditë u kremtua sot pasdite në Augustinianum, me pjesëmarrjen e kardinajve Ravasi e Turkson si dhe të kryeipeshkvit Gallagher. Në këtë pasdite kremtore u ndoqën një mori referatesh, ngarkuar me problematikën e viseve të mbarë botës, kushtuar pikërisht mbrojtjes së kësaj pasurie të përbashkët, pa të cilën nuk ka jetë.

“Inkurajoj posaçërisht përpjekjet tuaja në fushën edukative, me propozimet drejtuar fëmijëve e të rinjve. Faleminderit për gjithë çka bëni, e Zoti ju bekoftë!”.

Këto, fjalët e Papës drejtuar pjesëmarrësve në kuvëndim dhe të gjithë atyre që, në mbarë botën, i kushtohen vlerësimit të ujit, të cilin e shikojnë si pasuri e përbashkët, që duhet shpërndarë me drejtësi në të gjitha skajet e Planetit. Në një Planet, ku më se 663 milionë njerëz nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre e 2,4 miliardë, nuk kanë shërbime higjieno-sanitare të përshtatshme, gjë që shkakton çdo vit vdekjen e më se 300 mijë fëmijëve nën moshën 5 vjeç.

Prej këndej edhe kujdesi i OKB-së për t’ia kushtuar ditën e 25-të Botërore të Ujit, ujërave të ndotura nga veprimtaritë shtëpiake, industriale e bujqësore, që duhen reduktuar, duhen pastruar e duhen ripërdoruar, sipas objektivit të qëndrueshëm fiksuar për vitin 2015 nga Kombet e Bashkuara: “Të përmirësohet brenda 2030-tës, cilësia ujit, duke zhdukur  shkarkimet, duke reduktuar ndotjen dhe flakjen e prodhimeve kimike e skorieve të rrezikshme, duke përgjysmuar sasinë e ujërave të ndotura nga mbetjet industriale dhe duke shtuar riciklimin dhe ripërdorimin në nivel global”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.