2017-03-22 13:09:00

Farell për “Amoris Laetitia” të Papës: jo vetëm të divorcuar të rimartuar


Kapitulli themelor i Nxitjes Apostolike “Amoris Laetitia” është i katërti: një manifest i vërtetë i dashurisë martesore. Prandaj, mjaft me këtë lloj “polarizimi”, për hir të të cilit vihet në dukje vetëm kapitulli VIII, në veçanti çështja e të divorcuarve të rimartuar. Kështu flet, në një intervistë për agjencinë katolike Sir, prefekti i Dikasterit vatikanas për Laikët, kardinali Kevin Farell, një vit pas publikimit të dokumentit.

“Duhet kapërcyer ky shtrembërim”, ky “kurth”, nënvizon kardinali. “Problemet, plagët dhe njëmijë aspektet e vuajtjeve familjare janë shprehje e krizës së rëndë të martesës e të familjes, që përditë, ndikojnë në jetën e njerëzve”, komenton prefekti, por “sfida e ‘Amoris Laetitia’ është të tregojë se dashuria e vërtetë njerëzore dhe kristiane mbetet forca e vetme, e aftë ta shpëtojë martesën dhe familjen”. “Është kjo dashuri, që duhet vënë në qendër të familjes, siç këshillon edhe Koncili II i Vatikanit e siç thekson shpesh, me forcë, Papa Françesku, i cili e nënvizon maksimalisht në krejt Nxitjen Apostolike, sidomos në kapitujt IV e V”, shpjegon më tej kardinali Farell.

“Përparësia baritore, që vihet në dukje në ‘Amoris Laetitia’ për kohën e sotme, është parandalimi i hapjes së plagëve, i ndarjeve dhe i dështimeve të martesës”, pohon prelati, i cili vëren se si “pak e kanë vërejtur se në ‘Amoris Laetitia’, Papa, sipas modelit të Shën Palit në Letrën drejtuar korintasve, thekson tiparet e dashurisë së vërtetë (gati një himn i ri për dashurinë), duke i shpjeguar dhe duke i propozuar në jetën familjare. Dashuria bashkëshortore është e vërtetë, nëse e vlerëson tjetrin ashtu siç është dhe ia do të mirën; është shpirtërore, por përfshin edhe mirësinë, dhembshurinë, intimitetin, pasionin, kënaqësinë e dhënë e të marrë, krijimin e jetës dhe edukimin e fëmijëve; është miqësi absolute, simbol i bashkimit me Zotin e rrugë e vërtetë shenjtërimi. Katër qëndrimet, që sugjeron Papa për ta ndihmuar baritorinë familjare (mikpritja, shoqërimi, shoshitja, integrimi), janë të nevojshme për të gjithë e jo vetëm për ato, që ai vetë i quan ‘gjendje brishtësie dhe papërsosurie’. Janë të nevojshme për çiftet e rregullta dhe për gjithë Kishën, që të dijë t’i shoqërojë në rrugën e tyre”.

Përsa i përket temës së veçantë të të divorcuarve të rimartuar dhe asaj të personave, që bashkëjetojnë pa u martuar në kishë, kardinali Farell nënvizon me forcë udhën shpirtërore, që duhet të synojë integrimin në jetën e bashkësisë kishtare, me ndihmën e një meshtari. Kjo udhë, vëren prefekti i dikasterit për Laikët, kërkon kohë, durim, kujdes, këmbëngulje dhe fillon nga pranimi i një situate, që nuk përkon me planin e Zotit për njeriun, gjithnjë, pa e humbur besimin në mëshirën hyjnore e në afërsinë e Kishës. Është udhë drejt pjekurisë, që kërkon impenjim të lodhshëm e të vështirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.