2017-03-21 14:46:00

Vatikan: konferencë ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve të ujit


Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, që do të kremtohet të mërkurën, më 22 mars, Këshilli Papnor i Kulturës organizon nismën: “Vau: t’i rijapim vlera ujit për një botë të etur”. Të ftuar nga kreu i Këshillit, kardinali Gianfranco Ravasi, njofton gazeta “L’Osservatore Romano”, studiues ndërkombëtarë të problematikave ambientale, që kanë të bëjnë me burimet e ujit, do të marrin pjesë në audiencën e përgjithshme të Papës Françesku në sheshin e Shën Pjetrit e, më pas, në konferencën, që do të mbahet në Augustinianum. Në të do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë dhe prelatë të Kuries Romake. Ndër relatorët, kryetari i dikasterit vatikanas për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, si edhe sekretari për marrëdhëniet me shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

Këshilli Papnor për Kulturën përpiqet kështu t’i japë përgjigje konkrete njërës prej çështjeve të ngritura në Enciklikën “Laudato si’” të Papës Françesku. Për organizimin e konferencës kanë bashkëpunuar edhe Club of Rome (Klubi i Romës) dhe Shkolla e lartë e kulturës shoqërore dhe mediatike në Torun të Polonisë. Kujtojmë se Klubi i Romës është një shoqatë jo qeveritare shkencëtarësh, ekonomistësh, afaristësh, aktivistësh, drejtuesish e krerësh shtetërorë nga pesë kontinentet, me mision për të gjetur problemet kryesore, që njerëzimit do t’i duhet të përballojë në të ardhmen, duke propozuar zgjidhjet e mundshme. Nisma mbështetet me një fushatë në rrjetet shoqërore e në internet, ku mund të konsultohet faqja “worldwatervalues.org”. Synohet përfshirja e të rinjve në mbrojtje të njërës prej pasurive të përbashkëta më të çmuara të planetit, por edhe në promovimin e kulturës së respektit për ambientin, e cila duhet t’i japë vlera kësaj bote të etur.








All the contents on this site are copyrighted ©.