2017-03-21 12:53:00

Papa: rrëfyestorja nuk është lavazh, nevojitet turpi nga mëkati


Të falemi dhe të falim: një mister i vështirë për t’u kuptuar. Duhet lutje, pendesë dhe turp. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë për të qenë të vetëdijshëm për mrekullitë, që bën Zoti në ne, përmes mëshirës, të cilën më pas duhet ta përdorim edhe me të tjerët. Gjithashtu, vuri në dukje se në rrëfyestore duhet të jemi të sinqertë, përndryshe falja është e rreme.

Hiri i turpit: hapi i parë drejt faljes

Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u nisur nga leximet e liturgjisë së ditës, me anë të të cilave Kisha na bën të hyjmë në misterin e veprës së mëshirshme të Zotit. Hapi i parë, nënvizoi Ati i Shenjtë, është turpi për mëkatet tona, i cili është Hir i Zotit e nuk mund ta fitojmë vetë. Është në gjendje ta provojë këtë turp Populli i Zotit, që i kupton fajet e tij, siç vërehet në Leximin e parë të sotëm nga Danieli profet, ndërsa protagonisti i Ungjillit nuk arrin ta bëjë këtë. Është fjala për shërbëtorin, të cilin e fal i zoti, pavarësisht nga borxhet e mëdha, por që, nga ana e tij, nuk arrin të tregojë të njëjtën zemërgjerësi me borxhlinjtë e vet. Nuk e kupton misterin e faljes, theksoi Papa, duke dhënë shembuj nga jeta e përditshme:

“Nëse unë pyes: ‘A jeni mëkatarë të gjithë ju?’ – ‘Po, o atë, të gjithë.’ – “Si ia bëni për faljen e mëkateve?’ – ‘Rrëfehemi.’ – ‘E si shkon për t’u rrëfyer?’ – ‘Po, shkoj, them mëkatet, prifti më fal, më jep tre Falemi Mari për të thënë e pastaj kthehem në paqe’. Ti s’paske kuptuar gjë! Ti shkon në rrëfyestore për të bërë një operacion bankar, një veprim në zyrë. Ti nuk shkon atje me turp për atë, që ke bërë. Sheh disa njolla në ndërgjegje dhe gabon kur mendon se rrëfyestorja është ndonjë lavazh apo pastrim kimik për të fshirë njollat. Je i paaftë të turpërohesh për mëkatet e tua”.

Të mos e vjedhim faljen

Pra, duhet të na vijë turp, por të jemi edhe të vetëdijshëm për faljen. Falja që na jep Zoti, “mrekullia, që bën Ai në zemra”, shtoi më tej Papa Françesku, duhet të hyjë në ndërgjegje, përndryshe, “del, gjen një mik apo një mike dhe fillon të flasësh keq për ndokënd e, kështu, vazhdon të mëkatosh”. Unë mund t’i fal të tjerët, nëse ndjehem vërtet i falur, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Nëse nuk je i vetëdijshëm se të kanë falur, nuk mund të falësh kurrë. Ekziston gjithnjë ai qëndrimi, që u kërkon llogari të tjerëve. Falja është e plotë. Por mund të jepet kur e ndjej mëkatin, më vjen turp dhe i kërkoj falje Zotit, e ndjej që Hyji më fal e kështu, jam në gjendje të fal të tjerët. Përndryshe, nuk mund të fal, …nuk jemi të aftë për këtë. Prandaj, falja është mister”.

Të falim gjithnjë e bujarisht

Shërbëtori, për të cilin flet Ungjilli i sotëm, theksoi më tej Papa, ka përshtypjen se “ia hodhi”: i duket vetja shumë i mençur, por nuk e kuptoi bujarinë e të zotit. E sa herë, pyeti Ati i Shenjtë, edhe ne e ndjejmë veten kështu: dalim nga rrëfyestorja e mendojmë se ia hodhëm. Por kjo nuk është falje, nënvizoi Françesku, është hipokrizi, sepse e kemi vjedhur faljen, një falje të rreme:

“T’i lutemi sot Zotit për hirin që ta kuptojmë atë “shtatëdhjetë herë shtatë’. T’i lutemi për hirin që të na vijë turp para Hyjit. Është hir i madh! Të turpërohemi për mëkatet tona që të na jepet falja dhe hiri i bujarisë, në mënyrë që t’ua japim këtë falje të tjerëve, pasi nëse Zoti më ka falur kaq herë, kush jam unë që të mos i fal të tjerët?”

Nga Ungjilli i Mateut (Mt 18,21-35) Shëmbëlltyra mbi shërbëtorin e pamëshirë
21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:
“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”
22 Jezusi iu përgjigj:
“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!
23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.
28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.
31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.
35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”








All the contents on this site are copyrighted ©.