2017-03-21 17:12:00

60-vjetori i Traktateve të Romës: të krishterë e qytetarë të Evropës


Përkujtimi i 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës, fillimi i aventurës evropiane të integrimit, që sot ka lidhur bashkë më se gjysmën e shteteve të kontinentit, do ta vendosë Romën në qendër të kontinentit. Pikërisht në kryeqytetin italian, më 25 mars, do të mblidhen krerët e shteteve e të qeverive të Bashkimit Evropian për të kujtuar këtë përvjetor. Më 24 mars, në prag të përkujtimit, do të priten nga Papa Françesku. Në mbrëmjen e po asaj dite, në orën 19.30, ndër nismat e shumta në program atyre ditëve, rrjeti “Së bashku për Evropën” do të promovojë një Mbrëmje lutjeje ekumenike në bazilikën e Shenjtorëve Apostuj, në qendër të qytetit.

Do të jenë të pranishëm, kreu i Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit ndërmjet të krishterëve, kardinali Kurt Koch; sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Nunzio Galantino; historiani e themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Riccardi, si edhe moderatori aktual i rrjetit, Gerhard Pross. Kremtimi shoqërohet nga një kor ortodoks dhe nga një tjetër, i formuar enkas për këtë rast, nga Lëvizjet dhe Bashkësitë e rrjetit “Së bashku për Evropën”. Një Mbrëmje lutjeje, që do të përsëritet në 34 qytete evropiane, nga Lisbona në Seged, nga Brukseli në Matera.

Qëllimi i kësaj nisme është të dëshmohet se mund të arrihet bashkimi, pajtimi dhe uniteti ndërmjet popujve të kontinentit. E tregon këtë rruga e bërë nga fundi i Luftës II Botërore e deri më sot, dëshmitar i së cilës është edhe rrjeti i Kishave të ndryshme të krishtera – më se 300 në të gjithë kontinentin – që pavarësisht nga kultura, gjuha dhe prejardhja e ndryshme, veprojnë për qëllime të përbashkëta. Edhe kjo lutje është një gur në mozaikun e asaj Evrope, familje popujsh, për të cilën Papa Françesku, kur mori Çmimin Karli i Madh, pati uruar të jetë “në gjendje të nxjerrë në dritë një humanizëm të ri bazuar mbi tri aftësi:  aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të krijuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.