Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: genocid në Ruandë. Kisha, e shpërfytyruar

Papa Françesku dhe presidenti i Ruandës, Paul Kagame - AFP

20/03/2017 14:42

Papa Françesku priti sot në Pallatin Apostolik në Vatikan, presidentin e Ruandës, Paul Kagame, i cili bisedoi më pas edhe me autoritetet e tjera të Selisë së Shenjtë.

Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, u përmendën marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, u vlerësua udha e ndërmarrë drejt stabilizimit shoqëror, ekonomik dhe politik të Ruandës, si edhe u kujtua bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet shtetit e Kishës për pajtimin kombëtar dhe konsolidimin e paqes. Papa shprehu dhimbjen e tij të thellë, por edhe të Selisë së Shenjtë e të gjithë Kishës, për genocidin kundër etnisë tutsi; shfaqi solidaritetin e tij me viktimat dhe me ata, që vijojnë të vuajnë nga pasojat tragjike të atyre ngjarjeve; si edhe, në të njëjtën vijë me gjestin e Shën Gjon Palit II në Jubileun e vitit 2000, i kërkoi sërish falje Zotit për mëkatet dhe mungesat e Kishës e të anëtarëve të saj, sidomos për ata njerëz të Kishës, që i lanë vend urrejtjes dhe dhunës në zemrat e tyre, duke tradhtuar misionin ungjillor.

Papa Françesku uroi që njohja e pranimi i këtyre mëkateve e fajeve, të cilat e kanë shpërfytyruar fytyrën e Kishës në vend, të kontribuojë në “purifikimin e kujtesës” e në shpresën për ta parë të ardhmen në paqe, duke dëshmuar se është e mundur të jetohet e të punohet konkretisht së bashku, kur në qendër vihet dinjiteti i njeriut dhe e mira e përbashkët. Së fundi, Papa dhe presidenti ruandez shkëmbyen mendime për gjendjen politike e shoqërore në rajon, duke pasur parasysh disa zona me konflikte e fatkeqësi natyrore. Shqetësim i veçantë u shpreh për numrin e madh të refugjatëve dhe të emigrantëve, që kanë nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të organizmave rajonale.

20/03/2017 14:42