Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa për mafien: shoqëria të jetë e lirë nga kushtëzimet e kriminalitetit

Jo, mafies - ANSA

19/03/2017 16:58

Inkurajim drejtuar bashkësisë së krishterë e asaj civile, që të angazhohet gjithnjë më shumë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, paqësore e të lirë nga kushtëzimet e kriminalitetit. Ky, mesazhi i Papës drejtuar familjarëve të viktimave të mafies, mbledhur në Locri, në prag të Ditës së Kujtimit e të angazhimit, që do të kremtohet më 21 mars, organizuar nga Libera, mbështetur nga Konferenca ipeshkvnore kalabreze. 

Qindra familjarë të viktimave të pafajshme e ndoqën me vëmendje të madhe letrën e Françeskut, lexuar nga sekretari i Konferencës ipeshkvnore italiane, imzot Nunzio Galantino, i cili uroi që takimi të ndihmojë për të reflektuar mbi shkaqet e panumërta të shkeljes të së drejtës dhe të ligjshmërisë, që shumë shpesh përfundojnë me episode dhune e me fakte kriminale.

“Zija juaj, dhimbja juaj e vuajtja juaj - theksoi sekretari i Konferencës ipeshkvnore italiane - nuk mund e nuk duhet të mbeten mbyllur brenda shtëpive tuaja  e në rrethin e familjarëve tuaj, por duhet të bëhen publike, duhet t’i marrin vesh të gjithë e të tingëllojnë si qortim i rëndë e si dënim për ata që, pa turp e pa droje, guxojnë ta veshin vendin në zi, vetëm e vetëm për të realizuar planet e tyre kriminale.

E njëkohësisht e gjithë kjo është thirrje për përgjegjësi, që u bëhet drejtuesve të pasurisë publike. Duke i takuar viktimat e kriminalitetit - shtoi - duhet ta ndjejnë fort nevojën të distancohen qartë nga bota e krimit, t’u vijë turp nga kompromisi e afërsia me njerëz që mbjellin gënjeshtra, varfëri, vdekje e lot:

“Zija juaj e dhimbja juaj  - tha në përfundim imzot Galantino, duke folur në emër të Papës  -  kanë shumë për t’i thënë të gjithëve, e edhe ne.

Të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kisha është mijëra e mijëra kilometra larg atyre që, me arrogancë e prepotencë të padurueshme, dëshirojnë t’i imponojnë të tjerëve logjikën e paudhësisë e të krimit; larg atyre, që kërkojnë ta përdorin Kishën dhe realitetet e saj, për të mbuluar poshtërsitë e tyre.

Përballë njerëzve, që drejtojnë makinën e dhunës, të mbrapshtisë e të vdekjes, duhet të bëjmë ç’është e mundur, pa u kursyer, për t’ua shkëputur kriminelëve timonin nga dora.

Të gjithë ata që, dashur pa dashur kanë të bëjnë me botën e krimit - theksuan edhe ipeshkvijtë sicilianë - jo vetëm që janë me vjet drite larg Kishës - por edhe në kundërshtim të papajtueshëm me Ungjillin e Krishtit, si pasojë, edhe me Kishën e Tij.

19/03/2017 16:58