Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: gjatë Kreshmëve të jeni krijues të pajtimit

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot

19/03/2017 13:51

Papa është pranë popullsisë së Perusë, dëmtuar rëndë nga përmbytjet shkatrrimtare. Kështu u shpreh Françesku pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar, ndërmjet tjerash, rëndësinë që ka,  gjatë Kreshmëve, t’i afrohesh sa më shumë Jezusit.

Duhet rizbuluar vlera e dhuratës së Pagëzimit! Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Ungjillin e ditës, me dialogun ndërmjet Jezusit e samaritanes. Françesku nënvizoi se uji, që të jep jetën e pasosur, dikohet në zemrat tona në ditën e Pagëzimit; atëhere Zoti na shndërroi e na mbushi përplot me hirin e Tij:

“Por ka mundësi që këtë dhuratë ta kemi harruar, ose ta kemi shndërruar në një të dhënë të thjeshtë të gjendjes civile, e ndoshta-ndoshta shkojmë në kërkim të puseve, ujërat e të cilëve nuk mund të na e shuajnë etjen”.

Pra Ungjilli i sotëm na kushtohet pikërisht ne. Nuk është vetëm për samaritanen, por kryesisht për ne - theksoi Papa. - Natyrisht ne e njohim Jezusin, por ndoshta nuk e kemi takuar ende personalisht. E dimë kush është Jezusi, por ndoshta nuk kemi folur ende me Të e nuk e kemi pranuar si Shëlbuesin tonë:

“Kjo Kohë Kreshmësh është rast i mirë për t’iu afruar Atij, për ta takuar në lutje përmes një dialogu zemër për zemër, për të folur me Të, për ta dëgjuar: është rast i mirë për ta parë fytyrën e Tij edhe në fytyrën e një vëllai a të një motre të munduar. Në këtë mënyrë mund ta përtërijmë në shpirtin tonë hirin e Pagëzimit, duke e shuar etjen në gurrën e Fjalës së Zotit e të Shpirtit të Tij Shenjt e duke zbuluar kështu edhe gëzimin, që  na pushton, kur bëhemi krijues, artizanë të pajtimit e mjete të paqes në jetën e përditshme”.

Menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku i siguroi për afërsinë e tij popullsitë e dashura të Perusë, dëmtuar rëndë  nga përmbytjet shkatërrimtare. Lutem për viktimat dhe për të gjithë ata, që angazhohen t’i ndihmojnë të dëmtuarit – theksoi.

Pastaj, një mendim për Josef Mayr-Nusser, shpallur i Lum dje, në Bolzano. Baba familjeje, përfaqësues i Veprimit Katolik, vdiq martir, pasi refuzoi ta pranonte nazizmin, për t’i qëndruar besnik Ungjillit:

“Për vlerat e tij tejet të larta morale e shpirtërore, ai mbetet model për besimtarët katolikë laikë, posaçërisht për baballarët, që sot i kujtojmë me dashuri të madhe, ndonëse festa liturgjike e Shën Jozefit do të kremtohet nesër, sepse sot është e dielë. T’i përshëndesim, pra, të gjithë baballarët me një duartrokitje të fuqishme”.

Të shumtë, besimtarët e mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar fjalët e Papës, nga të katër anët e Italisë, por edhe nga vise të ndryshme të Evropës, Afrikës e  Amerikës Latine.  

19/03/2017 13:51