2017-03-18 17:40:00

Françesku në Egjipt më 28 e 29 prill: gëzimi i koptëve


Françesku do të jetë për vizitë apostolike në Egjipt më 28 e 29 prill. Njoftimin zyrtar e dha sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Papa qe ftuar nga Presidenti i Republikës, Abd al-Fatah al-Sisi, nga ipeshkvijtë e Kishës Katolike, nga Shenjtëria e Tij Tawadros dhe nga Imami i Madh i Xhamisë së Al Azhar, Shehu Ahmed Mohamed el-Tayyib. I madh, gëzimi në vendin veri-afrikan, posaçërisht në gjirin e bashkësisë kopte. E pohon, në mikrofonin tonë, imzot Antonios Aziz Mina, ipeshkëv nderi i Gizës:

Përgjigje: - Vizita e Papës është bekim për ne, për Kishën e për të gjithë popullin egjiptian, që e pret me kënaqësi të madhe. Jemi të gëzuar që Françesku iu përgjigj dëshirës sonë e po vjen për ta bekuar tokën tonë. Është vizitë, që të kujton atë të Gjon Palit II, në vitin 2000, vit i Jubileut të Madh të krishterimit.    

Pyetje: - Papa Françesku vjen në një vend, i cili jetoi ngjarje, që e bënë të vuajë shumë, sidomos popullin egjiptian…

Përgjigje: - Po. Gjithë zonën, jo vetëm Egjiptin. E tërë zona u vu në provë të rëndë. Pastaj e dimë mirë se prania e të krishterëve është gjithnjë dëshmi e Kryqit. Ku ka të krishterë, nuk mund të mos ketë kryq! Tani, në këtë Kohë Kreshmësh, po marrim pjesë me gjithë shpirt në misterin e pritjes, që përfundon me gëzimin e Pashkëve!








All the contents on this site are copyrighted ©.