2017-03-18 15:38:00

Meditim frymëzuar nga Liturgjia e së Dielës III të Kreshmëve: "Pusi i amshimit"


Pusi i amshimit

Edhe në jetën time është,

O Zot një pus

si pusi i Sikar.

Pus ku duhet të shkoj

me kovë e me konop

edhe në gjëmë të motit

për të nxjerrë ujin e freskët,

pa të cilin nuk kam jetë!

Eshtë udhë që e përshkoj për ditë:

Udha e mundit, e djersës

udha njerëzore

për një pikë ujë

përditë.

Është udha e punës ku shkrij

gjithçka kam n’shpirt,

shpesh ndërmjet njerëzve

të pazemër e të pamend.

Udhë që përsëritet pa fund...

etshëm gjithnjë, se ujët që e pi

etjen s’ma shuan.

Atëhere buzëshkrumbuar 

 e dëgjoj zërin tënd,

o Mëshira e mishëruar!

Ti Krisht më flet për ujin  

që shuan çdo etje.

 Më jep ujin e freskët

e më siguron se më nuk kam nevojë

të shkoj e të vij

tek pusi i përditshëm.

Një tjetër pus më tregon

ku gurron uji i jetës,

e duke më folur shpesh

ti, Jezus

vetveten ma lexon në bebe të syrit:

me drita e me hije!

Me siguri luhatëse

ndërmjet pasigurive

të botës së madhe

që ndryshon ngjyrë për çast.

Shpirtin ma zbraz e ma mbush

e më flet.

Askush nuk më flet si Ti.

Askush dëshirën nuk ma ngjalli

për një jetë të re,

si jeta që më premton.

Ti s’je si të tjerët:

për ditë më thua

çka s’ma tha kush një jetë!

E bën për mua

der’më sot çka askush s’e bëri:

“Më fal diçka që më kënaq

më shumë se dora e nënës

e syri i urtë i atit!

Më gëzon,

si gëzon pranvera në lule.

Më jep çka kërkova një jetë:

Ujin e gjallë.

Ti më nxjerr nga fundi i vetvetes,

si ditë e bardhë

prej natës së zezë.

Për ty porta ime rri çelë,

prej agut, në muzg!

E gjithë kjo madhështi e paparë 

kjo bukuri,

që unë e prita më kot:

mund të vijë veç nga një Zot!








All the contents on this site are copyrighted ©.