2017-03-17 13:40:00

Papa: Jezusi i do rrëfyesit që tregohen shumë të mëshirshëm


Rrëfyesit e mirë nuk kanë orare, rrëfejnë sa herë ia kërkojnë besimtarët, e janë gjithnjë miq të Jezusit, i cili kënaqet nëse mëshirojnë shumë. Me këto fjalë iu drejtua Papa pjesëmarrësve në kursin e organizuar nga Pendestaria Apostolike, kushtuar rrëfimit.

Kjo e Pendestarisë - tha Papa - është tipi i Gjykatës që më pëlqen më tepër, sepse gjykatë e mëshirës. Më pas theksoi tri pika, që duhen respektuar për të qenë rrëfyes të mirë. Mbi të gjitha, rrëfyesi duhet të jetë mik i vërtetë i Jezusit, gjë që do të thotë të jetë i kredhur në lutje. Kjo i shmang ashpërsitë e keqkuptimet që, nganjëherë, mund të lindin edhe në takimin sakramentor. Jezusi - shpjegoi Papa - sigurisht do të kënaqet nëse mëshirojmë shumë:

“Rrëfyesi që lutet, e di mirë se edhe ai vetë është mëkatari i parë e edhe i faluri i parë. Nuk mund të falësh në Sakrament, pa pasur vetëdijen se je i falur, para se të falësh. Prej këndej, lutja është garancia e parë për të shmangur çdo shfaqje të ashpërsisë, që dënon fare pa nevojë mëkatarin, e jo mëkatin. Në lutje është e nevojshme të kërkosh dhuratën e një zemre të plagosur, të aftë për t’i kuptuar plagët e tjetrit e për t’i shëruar me vajin e mëshirës, atë vaj, që samaritani i mirë e derdhi pa kursim mbi plagët e njeriut të flakur në rrugë të madhe, për të cilin askush nuk pati mëshirë”.

Pika e dytë: Rrëfyesi i mirë është njeri i Shpirtit Shenjt, njeri i  shqyrtimit. “sa e keqja i vjen Kishës - nënvizoi Papa - nga mungesa e shqyrtimit”.

E pika e tretë, rrëfyestorja është edhe vendi i ungjillëzimit e i formimit, sepse të bën të takosh fytyrën e vërtetë të Zotit, që është fytyra e mëshirës. Në dialogun, ndonëse të shkurtër, që shkëmben me pendestarin, rrëfyesi duhet të shqyrtojë ç’është më e dobishme e madje, edhe më e frytshme për udhën shpirtërore të këtij vëllai a të kësaj motre, e nganjëherë ndjehet nevoja të rikumtohen të vërtetat më fillestare të fesë. Eshtë fjala për shqyrtim të shpejtë e të mençur, që mund t’i bëjë shumë mirë besimtarëve:

“Rrëfyesi është i thirrur të shkojë çdo ditë në periferitë e së keqes e të mëkatit... e kjo është periferi e shëmtuar!... e veprimtaria e tij është puna e parë dhe më e rëndësishme, është përparësi, eh? Të rrëfesh është përparësi baritore. Ju lutem të mos i shikojmë më ato kartelat, ku shkruhet: ‘Rrëfimet, vetëm të hënën, të martën e të mërkurën, në filan e filan orë!’. Rrëfyesi duhet të rrëfejë në çdo orë që i kërkohet. Rri me rrëfyestoren e hapur, që është zemra e hapur e Zotit!”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.