Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

App:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Motër Majlinda Topalli: Mësimet e Jezusit mbi lutjen

Lutja e Jezusit ne kopshtin e Gjetsemanit - RV

17/03/2017 00:00

2. Motër Majlinda Topalli: Mësimet e Jezusit mbi lutjen

Çdo të premte, gjatë kësaj kohe liturgjike e shpirtërore të Krezhmëve, që na përgatit për kremtimin e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, motër Majlinda Topalli, rregulltare e Kongregatës së Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, na ofron një reflektim mbi lutjen e krishterë.

Të premten e kaluar, motër Majlinda na foli për ‘lutjen e krishterë si dëgjim’ i Fjalës që Hyji ia drejton njeriut ( Lp 4, 32 -33), sepse  Zoti kërkon “ një zemër të aftë për të dëgjuar ” (1 Mbr 3, 9 ). Madje siç pohon shën Pali “ feja lind nga dëgjimi” ( Rom 10,17). Kësaj radhe, motër Majlinda na flet mbi ‘mësimet e Jezusit mbi lutjen’.

Asgjë në Ungjill nuk tregon më mirë nevojën absolute të lutjes sesa vendi, që ajo zë në jetën e Jezusit. Ai lutet shpesh në mal (Mt 14,23), i vetëm, mënjanë (Lk 9,18), edhe kur “të gjithë e kërkojnë” (Mk 1,37).  Lutja i përket misionit të Jezusit, edukimit të dishepujve.  “Lutja e  Jezusit – pohon mes tjerash motër Majlinda - është një shembull lutjeje për ne, nëse dikush pyet si mund të lutem? e di si ti drejtohet Zotit… Jezusi na ka dorëzuar  përmbledhjen më të mirë për lutjen që është Ati Ynë”. Po ta dëgjojmë relfektimin e motër Majlinda Topallit....

                                          Mësimet e Jezusit mbi lutjen

Në Ungjillin e Mateut (6.6-13) Jezusi na mëson si t’i lutemi Hyjit Atë e mes tjerash thot­ë: ”Kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.  E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

9 Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

10 Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

12 Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

13 E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!”.

Pra, Jezusi jo vetëm na mëson si të lutemi, por Ai vetë lutej! Ai i përkiste një populli qe dinte të lutej, atij populli prej të cilit kemi librin e psalmeve. Unë besoj nga përvoja ime personale e lutjes që duhet të  zhvishemi  nga një farë  intelektualizmi që na pengon të kemi - nëse kështu mund të quhet -  dhuratën e lutjes.

Lutja  nuk konsiston në faktin e të menduarit shumë  dhe bukur, por në aftësinë për të dashur. Prandaj lutja jonë nuk është një mundim intelektual, çfarë të them tani? Si të sillem tani? Do më dëgjoje Zoti ?? etj etj por t’ia paraqesim Zotit nevojat tona me thjeshtësi, me ato fjalë që dimë, të bindur që po i drejtohemi dikujt që na do, që do kujdeset për ne në mënyrën më të mirën të mundshme.

Për të kuptuar  këtë duhet të gjejmë një kohë të përshtatshme për lutje, dhe në këtë kemi një shembull sublim që është vetë Jezusi.  Në fakt  gjatë misterit të tij publik shpesh e shohim që  tërhiqej dhe lutej në vetmi, mbi të gjitha gjatë natës dhe në mëngjes herët – kështu na e paraqet Shkrimi i shenjtë.  Si për shembull; Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm” ( Mt 14,23) ose “Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej” ( Mk 1,35), por vendi ku ai lutej më shpesh ishte “Malin e Ullinjve” ( Lk 22, 39).

Por jo vetëm kaq; ne e shohim se jeta e tij ishte gjithnjë lutje: Lutet në momentin para se të pagëzohet nga Gjoni (  Lk 3,21-22); lutet para se të thërras 12 apostujt ( Lk 6,12-13).

Lutja është hapësira e përgatitur për dëshminë e fesë së Pjetrit; “Kush thonë njerëzit se jam unë?... Pjetri u përgjigj: “Ti je Mesia i Hyjit!” (Lk 9,18). Në malin e  ullinjve, ka një intensitet të veçantë: “ Pastaj doli prej andej e u nis, si rëndom, drejt Malit të Ullinjve. Pas tij shkuan edhe nxënësit.  Kur arriti në atë vend, u tha: “Lutuni që të mos bini në tundim!” Dhe ai u largua prej tyre sa mund të hidhet guri, u ul në gjunjë dhe zuri të lutet: “O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullneti im, por vullneti yt”( Lk 22, 39- 42) dhe në fund Jezusi lutet mbi kryq duke thirrur të Atin të falë kryqëzuesit e tij “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!” (Lk23,34) dhe pastaj me besim, dorëzon shpirtin e tij në duart e Atit (krh Ps 31,6) 

Në lutjen e tij Jezusi i drejtohej gjithmonë  Zotit duke e thirrur “ Atë”, Ati i përgjigjet duke hyrë në dialog me të “Ti je im Bir unë sot të linda” ( Heb 1,5). Lutja e  Jezusit është një shembull lutjeje për ne, nëse dikush pyet si mund të lutem? nuk di si ti drejtohem Zotit…

Jezusi na ka dorëzuar  përmbledhjen më të mirë për lutjen që është Ati Ynë.  Një lutje e jashtëzakonshme, e mrekullueshme, e thellë.  Është kaq e veçantë saqë  godet zemrat e dishepujve. Përndryshe nuk shpjegohet pse njëri nga dishepujt i mahnitur  nga kjo ky raport i thellë në lutje, i drejtohet  “ Zot na  mëso të lutemi”. Është një  ndër lutjet që më ka ndihmuar dhe më ndihmon të kem  një raport të ri me Zotin .

I them Atë, Atit.  Na ndihmon të ndërrojmë imazhin që kemi për Zotin, na shfaq ( tregon) fytyrën  e vërtetë  te  Zotit. Të lutesh është ti drejtohesh Zotit me fjalën Atë, atij Ati që është i dashuruar me bijtë e tij, nuk na imponon asgjë por di vetëm të përqafojë, i gatshëm të dëgjoj bijtë e tij dhe t’ju qëndroj afër.

Gjëja e parë që duhet të kërkojmë është kjo: u shenjtëroftë emri yt. Ai emër që është dashuri, ose me fjalë të tjera u shenjtëroftë dashuria mbi tokë, në të gjithë dhe në gjithçka, Dashuria e shenjtëroftë tokën. Nëse ka ndonjë gjë të shenjtë në këtë botë, diçka e shenjtë të amshuar në ne, është aftësia të duam dhe të ndihemi të dashur.

Gjëja e dytë që duhet të kërkojmë: Ardhtë mbretëria jote, është një njerëzim i ri që lind aty ku lindin raportet njerëzore të bazuar mbi drejtësinë, mbi faljen reciproke dhe  mbi paqen. Prandaj Mbretëria jote ka ardhur në atë që është paqja jonë, Biri yt Jezus.

E treta: Bukën tonë të përditshme. “Bukën” tregon të gjithë atë që na nevojitet për jetën dhe për lumturinë: na e jep bukën dhe dashurinë, të dyja të nevojshme; Buka për të mbijetuar dhe dashuria për të jetuar. Bukën “tonë”, sepse nëse njëri është i ngopur dhe tjetri i uritur, ajo nuk është buka e Zotit, atëherë bota e re nuk do të vijë.

E gjëja e katërt: na i fal mëkatet tona,  hiq gjithçka që peshon mbi zemrën tonë dhe e bën të vjetrohet, atë që nuk më lejon të ndihem bijë apo birë i dashur nga Ati.

Zot Jezus, bëj që lutja  jonë të vijë nga dëgjimi i Fjalës sate; të mos dalë vetëm nga buzët tona, por  nga zemra jonë, nga zjarri i dashurisë së Shpirtit Shenjë, që dobësia jonë të shërohet nga shenjtëria dhe madhëria jote që na bën të thërrasim me besim; Abbà, Atë! 

Motër Majlinda Topalli

17/03/2017 00:00