2017-03-17 17:29:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Krezhmëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Pasi na paraqiti tundimet e Jezusit dhe shndërrimin e tij, ky vit liturgjik ‘A’ na kërkon të bëjmë një udhë për ta kuptuar përherë e më shumë pagëzimin përmes fragmentit të ungjillit të katërt, të shën Gjonit. Kësaj së diele meditojmë mbi takimin e Jezusit me gruan samaritane, në të cilin shfaqet dhurata e ujit të jetës.

Pra, jemi në gjysmën e kohës së Krezhmëve, gjatë së cilës  kohë Kisha na fton t'i ndryshojmë sjelljet, ta përmirësojmë e përforcojmë jetën tonë të fesë dhe bashkimin tonë me Krishtin si të pagëzuar. E liturgjia e Fjalës së Zotit, kësaj së diele, na propozon temën dhe simbolin e  ujit, si pik takimi mes Zotit e njeriut. Uji si simbol që shpreh kërkesën e nevojat njeriut dhe përgjigjën e Zotit. Jezusi është shkëmbi nga i cili buron Uji i jetës.

Kjo e diele e tretë e krezhmëve mund të quhet “e diela e samaritanës”. E vërtetë, në figurën e gruas samaritane, të cilën Jezusi e takon në te pusi i Jakobit, në qytetin Sihar, për çka na flet Ungjilli nga Gjoni 4,5-42, të gjithë mund të shohim vetveten tonë: si për sa i përket mëkatit, që e gjejmë te kjo grua, po nuk duhet të harrojmë se edhe ne të gjithë jemi mëkatarë, e po kështu edhe për sa i përket nevojës që ajo shpreh për të takuar shpëtimtarin, e edhe çdo njeri prej nesh, si besimtarë i vërtetë, e ndjen nevojën për t’u takuar me Shëlbuesin.

Te pusi Jakobit, Jezusi e shoqëron një grua drejt misterit të Hyjit, duke e ndihmuar të kuptojë misterin e vet si grua. Pranë këtij pusi Jezusi kujdesët për fatet e një gruaje, për jetën e saj fizike, trupore e edhe për amshimin e saj.

E sjelljet që ka gruaja samaritane në takimin me Jezusin, duhet të jenë të njëjtat sjellje të atij që dëshiron të përshkojë udhën dhe jetojë kohën e krezhmëve: dëshirën për të takuar Jezusin, Shpëtimtarin, dëshirën për t’u konvertuar a ndryshuar jetën dhe impenjimin për të qenë dishepull i tij, dëshmitar i tij.

Kur ndodhë takimi i vërtetë me Zotin, jeta e njeriut ndryshon rrënjësisht, siç dëshmon historia e gruas samaritane te pusi i Jakobit, jeta e shën Palit, jeta e shën Françeskut të Asizit, jeta e Shën Nënë Terezës Gonxhe Bojaxhiut e të sa e sa të tjerëve.

Të lindur prej ujit e prej Shpirtit, jemi bërë krijesa të reja, por gjithmonë kemi nevojë për ujin e Fjalës së Zotit, për t’u përtërirë e për t’u bërë sa më të ngjashëm me Krishtin, në të cilin jemi pagëzuar.

Jezusi na mëson ta jetojmë, duke u mbështetur në të, ujin e vërtetë, burimin e vetëm të pashtershëm, përmes Fjalës së Zotit, Sakramenteve, dashurisë ndaj të afërmit, veprave të mira e bamirëse etj. Të përfitojmë nga kjo periudhë e fortë liturgjike e shpirtërore që Kisha na ofron për ta shuar etjen e thellë të zemrës sonë.

                                             Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Daljes 17, 3-7

Në ato ditë, populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?” Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çka të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë.” Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin, dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë.” Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Mas a dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është?” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 95

Ref: Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot.

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi! 

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve  5, 1-2. 5-8

Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë – ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për neFjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Zotëri, ti me të vërtetë je Shëlbuesi i botës: 

na jep ujë të gjallë, që të mos kemi më etje.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar! 

Ungjilli Gjn 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 4, 5-42

Në atë kohë, Jezusi arriti në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, të birit të vet. Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep asi uji, që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!”Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!” “Unë nuk kam burrë!”- i përgjigji ajo. “Mirë the! – ia ktheu Jezusi – ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!” Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka.” Jezusi i tha: “Unë jam, unë që po flas me ty!”  Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?” Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!” Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”   Jezusi u përgjigji: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj, e, ja, korrja’? Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë? Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”  Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë te ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.