2017-03-16 16:10:00

Vikari apostolik në Turqi: populizmat çojnë drejt humnerës


Nuk reshtin polemikat ndërmjet Turqisë dhe Holandës, madje, edhe me fjalë të ashpra. Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në vend, ministri i jashtëm turk, Kavusoglu, deklaroi se nuk ka ndryshime ndërmjet kryeministrit liberal Rutte dhe liderit populist Wilders, pasi kanë të njëjtën mendësi. “Keni filluar shpërbërjen e Evropës – theksoi ai – shpejt do të fillojnë luftra të shenjta në Evropë”. I kërkuam një koment vikarit apostolik të Anadollit, imzot Paolo Bizetti:

Më duket se ka ardhur një kohë, kur jemi pak si tepër të ndjeshëm, në Lindjen e Mesme, në Evropë, por edhe në SHBA-të. Ndoshta, para së gjithash, duhet ta kuptojmë se ekziston një atmosferë pak e tepruar, se ka tensione në rritje që prej vitesh për arsye, pjesërisht të rreme e pjesërisht reale, të cilat, ndoshta, janë nënvlerësuar në të kaluarën. Vështirësitë në bisedimet pa fund ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian më duket se janë sinjal se ka diçka që nuk shkon në të dyja palët. Sigurisht që Evropa, ose së paku, politika e disa vendeve evropiane, gjatë viteve të fundit, ka qenë tepër kontradiktore. E gjithë kjo, në fund të fundit, ka krijuar një atmosferë tensioni të madh. Pastaj, ka fakte të herëpashershme, që shërbejnë si fitil për të ndezur barotin, i cili është aty që më parë. Kësaj i shtohet fakti se ç’po ndodh në Siri e në anë të ndryshme të Lindjes së Mesme është vërtet e pakuptueshme; nuk kuptohet pse Evropa është kaq e paaftë të thotë fjalën e vet, nuk kuptohet si ka mundësi që është krijuar dhe është lënë pa ndërhyrje për vite me radhë një gjendje kaq e rrezikshme, me pasoja, që mund të imagjinoheshin lehtë. Jemi të çorientuar.

Të gjitha palët, sipas jush, e kanë tepruar në tonin e deklaratave të tyre, apo jo?

Besoj se po. Ndokush flet edhe me tepri. Por, duhet kuptuar ku janë rrënjët e këtyre tensioneve. Mendoj se kudo po shtohet ksenofobia, islamofobia, ashtu si në anë të tjera të botës po shtohet kristianofobia. Duket sikur, në këtë çast, kush dëshiron të tërheqë vëmendjen, duhet të shkojë pa tjetër drejt qëndrimeve të skajshme, populiste, që në të vërtetë, po na çojnë drejt humnerës. Prandaj, po jap alarmin në këtë drejtim. Këto populizma, këto deklarata kaq masive kanë pasoja mbi popuj të tërë. Le të mendojmë, për shembull, për dekretet e presidentit të SHBA-ve, që nuk bëjnë dallime ndërmjet masës së popullsisë në krizë të rëndë dhe pakicës së terroristëve. Tonet e përdorura evokojnë fakte të së kaluarës, kërcënojnë, u paraqesin njerëzve skenarë apokaliptikë… Por dimë, për shembull, se 3 milion turqit në Gjermani janë integruar shkëlqyeshëm e nuk janë treguar kurrë ekstremistë. E si t’ia bëjmë tani, t’i hedhim në kosh? Edhe nga ana tjetër, sigurisht që ka mosbesim ndaj disa qeverive evropiane, por irritimi i mëtejshëm nuk i shërben askujt. Duhet filluar me durim dialogu.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.