Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: dëshmia e martirizimit

Martirët katolikë shqiptarë - RV

16/03/2017 13:51

“Të kujtojmë për të ndërtuar të ardhmen”: me këtë temë kuptimplote, dje,  në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, u përkujtua 50-vjetori i prishjes së objekteve të kultit në Shqipëri nga ana e regjimit komunist. U fol për njerëz, që dëshmuan Krishtin, duke derdhur gjakun, duke vdekur nën tortura, duke mbrojtur “njeriun” si të tillë dhe çdo gjë njerëzore, që diktatura deshi ta shndërronte sipas imazhit të vet të përçudnuar. Po kështu ndodhi edhe me njerëz të feve të tjera, që së bashku me të krishterët dhanë dëshminë e martirizmit. Por ç’është kjo dëshmi për të krishterët? Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.

Jezusi u pati thënë dishepujve të vet se ata që do ta ndiqnin mund të shkonin drejt persekutimit e vdekjes. Vërtet, para kthimit të Saulit, të Shën Palit Apostull, diakoni Shtjefën, u vra me gurë në Jeruzalem për shkak të besimit të tij në Krishtin, duke qenë i pari dëshmitar i aradhes së gjatë të besimtarëve, që dhanë jetën për të mos mohuar Zotin, aradhe që shtohet në shekuj. Të gjithë Apostujt pësuan martirizim, duke përfshirë edhe shën Gjonin, i cili, siç tregon tradita, u hodh në një kusi me vaj që ziente, por doli i pacënuar për hir të mrekullisë së Hyjit. Edhe perandorët romakë u përpoqen ta mbysnin me gjak Fenë e Krishtit, por, siç thoshte Tertuliani, gjaku i martirëve u bë fara e të krishterëve të rinj. Judaizmi, paganizmi, skizma, herezia, masoneria, komunizmi e çdo lloj vesi kanë bërë martirë. Nuk ka asnjë epokë, në të cilën Kisha nuk është vaditur me gjakun e dëshmitarëve të Krishtit. E edhe sot e kësaj dite, bota vazhon të thurë elegji martirësh të krishterë.

Në të vërtetë, fjala greke “martyr”, që përdoret në Bibël, do të thotë thjesht “dëshmitar”. Por pas persekutimit të të krishterëve në shekujt e parë, të dëshmoje Krishtin do të thoshte të jepje jetën për të e, shpesh në mes të torturave e të përqeshjeve. Në ato vite u plotësua ajo, që Jezusi u pat thënë misionarëve të Ungjillit: “Do t’ju hedhin në gjyq, do t’ju frushkullojnë në sinangoga të tyre. Për shkak timin do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve” (Mt 10, 17-18). Kështu dëshmia, në greqisht “martyrìa”, shndërrohet në “martirizim”, ashtu siç e kuptojmë sot.

Por cilat janë elementet e martirizimit të krishterë, pasi njerëzit kanë dhënë jetën edhe për ideale fisnike si dashuria për atdheun, për të vërtetën, për lirinë. Martirizimi i krishterë është provë e krishterimit e nuk mund të shpjegohet pa ndërhyrjen e Zotit. Është pra, një mrekulli morale, me të cilën konfirmohet se krishterimi vjen nga Hyji. T’i shohim një e nga një karakteristikat e këtij martirizimi:

Së pari, cilësia e njerëzve që martirizohen. Nuk janë vetëm të rinj të guximshëm e të fortë, por edhe gra të përvujta e madje edhe fëmijë të pambrojtur; janë pleq, njerëz të çdo moshe e situate. Janë nëna, që lenë foshnjën e sapolindur, si Vibia Perpetua; që i nxisin bijtë t’i mbështesin në tortura, për t’u martirizuar në zemër më parë se në trup, si shën Feliçita, nënë e shtatë martirëve nën perandorin Mark Aurel.

Shpesh mjafton një fjalë mohuese për të qenë të lirë, një grimcë adhurimi për zotat e gënjeshtërt. Martirët joshen me premtime e me oferta nga më të ndryshmet, përpiqen t’i vendosin në piedestalin e botës, por – e vijmë kështu tek karakteristika e tyre e dytë – nuk i pranojnë, i shohin me tmerr, e preferojnë të vdesin me nder. Sa vajza kanë refuzuar dorën e fisnikëve të pasur, për të ruajtur pastërtinë e fenë në Krishtin, si shën Anjeza, shën Dorotea e shumë të tjera.

Së treti, martirët nuk kërkojnë lavdinë e heronjve. Shpesh martirizohen bashkë me turma të panjohura, askush nuk u dinte as emrin e megjithatë, të sigurtë se emri i tyre shkruhej në qiell, shkonin drejt vdekjes duke kënduar.

E dinin se ç’i priste e luteshin që Zoti t’u jepte forcë, pasi të vetëm nuk mund t’ia dilnin. Nuk ishin pra, fanatikë. Dokumentat autentike të kohës thonë se shën Feliçita qante në burg për shkak të dhimbjeve të shtatzanisë, por rojtarit, që i thotë: “Si do t’ia bësh para bishave ti, që po qan tani?” i përgjigjet: “Tani vuaj unë, por atje do të jetë një tjetër brenda meje, që do të vuajë për mua, sepse unë do të shkoj të vuaj për Të”.

Karakteristika e pestë e martirëve është dashuria e pamatë për Zotin, për të cilin japin jetën, dashuria për Jezusin, doktrinën e të cilit dëshmojnë, dashuria për vëllezërit në fe, të cilëve u japin shembull me flijimin e tyre, dashuria edhe për persekutuesit, për të cilët luten, duke shkaktuar habi dhe admirim.

E së fundi, martirët kanë vërtet fe të gjallë, pasi trupi u bën thirrje ta shpëtojnë jetën e të mos vuajnë, por vizioni i së vërtetës dhe shpresa qiellore i bën t’i kapërcejnë mundimet.

Të gjitha këto elemente na bëjnë ta shohim martirizimin me një sy të veçantë. Ky fenomen i njerëzve të vetëdijshëm e të lirë, që japin jetën për fenë e krishterë nuk është diçka njerëzore, por supozon ndërhyrjen e një force superiore. E atëherë, edhe ne, siç thuhet në Letrën drejtuar Hebrenjve, “të rrethuar me një re kaq të madhe dëshmitarësh… të vrapojmë me qëndresë në luftimin që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur trupin dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit” (12,1-2).

16/03/2017 13:51